Terrorizoi kryeqytetin, Imer Krrashi anëtar i grupit të Marklen Hakës

Kronike

Publikuar: 05/10/2025

Terrorizoi kryeqytetin, Imer Krrashi anëtar i grupit të Marklen Hakës

Zbardhen detaje të reja lidhur me identitetin e 31-vjeçarit Imet Krrashi, i cili terrorizoi Tiranën ditën e sotme. Sipas gazetares Klodiana Lala, mësohet se 31-vjeçari është pjesë e grupit të Marklen Hakës, i njohur si “I forti i Niklës”.

Imer Krrashi me origjinë nga Kruja, u arrestua ditën e sotme pas tentativës së dështuar për t’i ikur policisë. Policia e Tiranës njoftoi se Imer Krrashi përdorte 3 identitete, Imer Masha dhe Imer Uka nga Kruja.

Sipas policisë, rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi automjetit të tij, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.

Pas ndalimit, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur 31-vjeçarit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi.

Pasi policia është vënë në ndjekje të automjetit, Imer Krrashi ka përplasur 9 automjete dhe 1 motor, ku mbetën të plagosur 52-vjeçari (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë. 31-vjeçari Imer Krrashi është një person me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kujtojmë se Marklen Haka, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, është arrestuar në Dubai në korrik të vitit 2024, pasi ishte shpallur në kërkim për dosjen “Revanshi” nga SPAK dhe akuzohet për “vrasje e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje”.