Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se Izraeli nuk do të zbatojë asnjë pjesë të planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti Donald Trump, nëse nuk lirohen të gjitha pengjet që ndodhen ende në duart e Hamasit.
“Ne nuk do të zbatojmë asnjë nga 21 pikat e planit Trump derisa pengu i fundit të kthehet në tokën izraelite. Vetëm atëherë do të kalojmë në fazën tjetër”,tha Netanyahu.
Deklarata e tij u bë gjatë një fjalimi në Forumin e Heronjve të Izraelit, një ngjarje ku morën pjesë familjarë dhe të afërm të viktimave të sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi dhe luftës në Gaza.
Ndërsa sot, presidenti i SHBA Donald Trump ka folur lidhur me marrëveshjen e paqes në Gaza teksa e ka cilësuar si të mrekullueshme dhe një marrëveshje të shkëlqyer për Izraelin.
“Të gjithë kanë rënë dakord pak a shumë me këtë, por gjithmonë do të ketë disa ndryshime”, tha ai.
Trump shtoi se negociatat po vazhdojnë dhe sipas tij ndoshta do të zgjasin disa ditë.
“Ata kanë vite që luftojnë për një plan, do t’i kthejmë pengjet pothuajse menjëherë”,deklaroi presidenti i SHBA.