Është mbledhur këtë të shtunë Kryesia e PD, ku në fokus të diskutimeve me aleatët janë zgjedhjet në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.Në lidhje me bojkotin e parlamentit, Berisha u ka bërë thirrje demokratëve të reflektojnë, sepse nuk është ndëshkim tha ai, por i bëhet qejfi kryeministrit Edi Ramës.
“Kërkoj nga demokratët të arsyetojnë në lidhje me bojkotin, në pamje të parë duket sikur e ndëshkon, por i bën qefin narkodiktatorit. Ai dha shembull për skenarin e përgatitur për të kaluar në 28 minuta programin qeverisës nga qeveria e tij”, tha Berisha duke iu referuar kreut të qeverisë.
“Shpëtimi dhe rezistenca nuk vjen me bojkot, por qëndresë në çdo pozicion”, shtoi Berisha më tej.
“Mblidhemi sot në një moment për të diskutuar dhe vendosur modelin që do përzgjedhim si kryesi e PD për garën elektorale për Tiranën. Që në fillim dua të theksoj se dhunimet flagrante të Kushtetutës nga individë nga njerëz të inkriminuar të lidhur në vjedhje dhe përvetësime të mëdha të pronave publike si Edi Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, seria e dhunimit të Kushtetutës me aktet e tyre me të drejtë e bëjnë të debatueshëm, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe në këtë kontekst të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë elektorale.
Por për të gjithë ata që e kanë parasysh se ne jetojmë në një diktaturë autoritare në të cilën Kushtetuta është një letër e vdekur, ligji është një letër pa vlerë. Të kërkosh Kushtetutë në një regjim autoritar të bazuar në drogë, është si të kërkosh ujë në shkretëtirë. Parimet e Kushtetutës janë të pavdekshme, thelbësore për një rend demokratik, kurse në një narkodiktaturë janë faktikisht të parespektuara. Një opozitë në regjimet autoritare ka si mision përmbysjen e saj duke mos mashtruar asnjëherë se ajo përmbyset me votë.
Por një opozitë në vlerësimin dhe mendimin tim duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër regjimit autoritar.
Bojkoti i cili është një vendim që para çdo padrejtësie të vjen i pari në mendje, është provuar me një efekt destruktiv për opozitat, për ekzistencën e tyre.
Opozita nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj. Çdo opozitar e ka për detyrë t’i shpjegojë çdo qytetari çfarë është një diktaturë autokratike dhe ku dallon nga një diktaturë totalitare”, u shpreh Sali Berisha.