Vijojnë takimet me aleatët/ PD në negociata me PDIU dhe Partinë Mundësia, Kapri: Kemi bërë propozimin tonë! I rëndësishëm është parimi

Politikë

Publikuar: 01/10/2025

Vijojnë takimet me aleatët/ PD në negociata me PDIU dhe Partinë Mundësia, Kapri: Kemi bërë propozimin tonë! I rëndësishëm është parimi

Grupi negociator i Partisë Demokratike, ka vijuar sot me takimet me partitë e tjera opozitare me qëllim përcaktimin e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme lokale që pritet të zhvillohen për Bashkinë e Tiranës.

Sot përfaqësuesit e PD-së, janë takuar me palë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partinë Mundësia.

Nga ambientet e hotelit ku është mbajtur takimi, deputeti i Partisë Mundësia, ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses, është që emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, të jetë një personazh me integritet mbi palët dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cënon profilin politik dhe më tej të individit.

“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut.

Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.

Ndërkohë përfaqësuesit e PD-së, ashtu si dhe Kapri, kanë treguar se nga negociatat kanë dalë dhe propozime të emrave të përveçëm që do të shqyrtohen për të dalë në një rezultat final.

Ndërkohë ditën e djeshme në tryezën e presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka mbërritur njoftimi për krijimin e vakancave për 6 bashki në vend, përfshirë dhe kryeqytetin. Shkresa vjen një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, shkarkimin e tij me vendim të qeverisë.

Një akt që sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave, e për pasojë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet. Pikërisht ky nen pengon kreun e shtetit Bajram Begaj që të dekretojë një datë zgjedhjesh për Tiranën.

Nga dje, kreu i shtetit ka afat 48 orë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Në rastin e Tiranës Kreu i Shtetit po ashtu është i lidhur drejtpërdrejtë me nenin 115, i cili në pikën tjetër të tij, pikën 3, shpjegon qartazi veprimet që duhet të ndërmarrë. Atij i lihen vetëm dy mundësi për caktimin e datës së zgjedhjeve, ose kur nuk është ushtruar e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve, ose në rastin kur lihet në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese.