Një shpërthim i fuqishëm me lëndë eksplozive tronditi lagjen Gafurr Muça në Lushnjë gjatë orëve të para të mëngjesit. Ngjarja ndodhi në katin e parë të një pallati, ku ishte vendosur një sasi tritoli në hyrje të banesës së Shaqe Gjatës, nënës së Klea Gjatës, e njohur si e dashura e Laert Haxhiut, një emër i përfolur për lidhje me botën e krimit, dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës. Gjata ishte edhe anëtare e grupit të Haxhiut.

Sipas burimeve nga vendngjarja, shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesë, në fasadën e pallatit, dhe në disa automjete të parkuara pranë. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por banorët e pallatit janë tronditur nga fuqia e shpërthimit.

28-vjeçarja Klea Gjata nga Lushnja, ishte pjesë e grupit të Laert Haxhisë. 29-vjeçarja u arrestua më 28 shtator 2023 në kuadër të operacionit të koduar policor ‘Kurrë mos harro’, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili u zbërthye para grupit hetimor duke zbardhur 6 krime të kryera nga grupi i autorit të masakrës së Lushnjës.
Ndaj Klea Gjatës u ngrit akuza për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjata u lirua nga burgu, ndërkohë më 21 mars 2024 GJKKO vendosi ndaj saj masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Pista e tradhtisë
Policia ka ngritur dyshime se shkaku i vendosjes së tritolit mund të lidhet me konfliktet e vazhdueshme mes Klea Gjatës dhe Laert Haxhiut, të dënuarit me burg përjetë, me të cilin ajo ishte ndarë pas zbulimit të një tradhtie. Një modele nga Kosova, Ziza Pajaziti, ishte parë disa herë me Haxhiun në burgun e Drenovës, duke intensifikuar përplasjet mes tij dhe Kleas.

Përplasjet mes dy të rinjve kishin arritur kulmin pas refuzimit të Kleas për të takuar më tej Laert Haxhiun, gjë që ka çuar në një tension të shtuar mes tyre. Sipas burimeve të policisë, kjo mund të ketë qenë arsyeja e vendosjes së tritolit në banesën e nënës së Kleas, fatmirësisht pa shkaktuar viktima apo dëme materiale të rënda. Policia e Lushnjës ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe po shqyrton të gjitha mundësitë për identifikimin e autorëve.
Laert Haxhiu, ‘drejtor’ i Burgut të Drenovës
Laert Haxhiu është defakto drejtor i Burgut të Drenovës. Haxhiu e ka kthyer burgun në një fortesë, ku thërret vajza të showbizit, organizon takime, flet në telefon dhe përdor rrjetet e komunikimit si gjatë kohës kur ishte në terren dhe krye të bandës. Nuk është çudi që si ‘drejtor’ i burgut Haxhiu të urdhërojë edhe kryerjen e akteve kriminale.
Ditën e djeshme, një telefon celular është kapur në burgun e Drenovës, i cili ka qenë në përdorim të Laert Haxhiut, i dënuar për disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë masakrën e Lushnjës. Telefoni është gjetur në sektorin ku Haxhiu po vuan dënimin dhe, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se është përdorur për të komunikuar jashtë burgut, duke mundësuar aktivitete kriminale. Ky incident ka ngritur dyshime për një rrjet të mundshëm të paligjshëm të komunikimit brenda mureve të burgut.
Ky nuk është rasti i parë që Laert Haxhiu është lidhur me telefona celularë të kapur në burg. Në korrik të këtij viti, forcat operacionale kryen një hetim të befasishëm në qelinë e Laert Haxhiut, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyshuar në pritje të gjykimit si drejtues i një grupi kriminal që ka realizuar 17 ngjarje, si vrasje, atentate e shpërthime me tritol, në harkun kohor të viteve 2019-2023. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekustruan 4 aparate telefonikë “Iphone” dhe “Samsung”, që përdoreshin nga tre anëtarët kryesorë të grupit së Laert Haxhiut, si Orgest Bilbili, Anterio Kaloshi dhe vetë Haxhiu.
Gjithashtu, u zbulua se moderatore, modele, ish banore të BBV dhe Për’Puthen, të ashtuquajtura VIP-se, këngëtare etj., kanë mësyrë dhe shpartalluar Burgun e Drenovës, duke kaluar net të zjarrta me figura të krimit të organizuar, duke kompromentuar rëndë sigurinë në burgje. Depërtimi i modeles nga Kosova, Ziza Pajaziti, me dokumente false, për takim special me Laert Haxhiun, është thjeshtë një element senacional i skandalit.