Qyteti i Lushnjës është tronditur në orët e para të kësaj të marte, pasi një shpërthimi të një sasie të vogël lëndë plasëse në lagjen Gafurr Muço.
Lënda plasëse është vendosur në shtëpinë e Shaqe Gjatës, nënës së Kleas, kjo e fundit shoqja e Laert Haxhisë, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës.
Shpërthimi ka sjellë vetëm dëme materiale dhe panik te banorët.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit/ve.
“Rreth orës 01:00, në lagjen “Gafurr Muço”, në murin e jashtëm në katin e parë të banesës së shtetases Sh. Gj., 57 vjeçe, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njoftoi sot policia.
Klea Gjata nuk është e panjohur për autoritetet. 29-vjeçarja u arrestua më 28 shtator 2023 në kuadër të operacionit të koduar policor ‘Kurrë mos harro’, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili u zbërthye para grupit të hetimor duke zbardhur 6 krime të kryera nga grupi i autorit të masakrës së Lushnjës.
Ndaj Klea Gjatës u ngrit akuza për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërkohë më 21 mars 2024 Gjykata e Posaçme liroi nga qelia Klean dhe vendosi ndaj saj masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”.