Kush po e sulmon dhe intimidon prokurorin e SPAK, Dritan Prençi?!

Aktualitet

Publikuar: 24/09/2025

Kush po e sulmon dhe intimidon prokurorin e SPAK, Dritan Prençi?!

Prej disa javësh, në disa media të paguara nga koncesionet e rrugëve, nga oligarkë si dhe nga ministra socialiste, është vënë re një fushatë e orkestruar sulmesh ndaj prokurorit të SPAK, Dritan Prençi.

Nuk është rastësi, pasi Prençi është pikërisht ai që po heton disa nga aferat më të mëdha të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri, ku përfliten miliona euro të vjedhura nga oligarkët e deri tek korrupsioni me emra të rëndë të politikës së lartë.

Pyetja që lind është e thjeshtë: Pse tani? Pse në kulmin e hetimeve dalin “rastësisht” artikuj denigrues? Pse këto media mercenare, lëtyra të gazetarisë, përpiqen t’ia njollosin emrin dhe t’i dërgojnë një mesazh të qartë frikësues?

Kjo u konfirmua dhe pak ditë më parë nga Gaz Bardhi i cili tha se ndaj Prençit po ushtrohet presion që ai të trembet. Por a do trembet Çeta e Dibrës?

E vërteta është se dikush ka frikë nga dosjet që mban në duar Dritan Prençi. Dikush ka frikë se hetimi për tenderat e rrugëve, koncesionet dhe marrëveshjet korruptive do të shpërthejë si bombë dhe do të rrëzojë fasadën e korrupsionit të institucionalizuar.

Prandaj sot nuk është më vetëm çështje e një prokurori. Është një çështje e drejtësisë shqiptare:
• A do të lejojë sistemi që një prokuror i SPAK të intimidohet publikisht?
• A do të tolerojë që korrupsioni të diktojë narrativën mediatike përmes kanaleve të veta të propagandës?
• Apo do të ngrihet për t’i dhënë mbrojtje një prej prokurorëve që ka guxuar të shkojë deri në fund?

Sulmet ndaj Dritan Prençit janë sulme ndaj SPAK. Janë sulme ndaj drejtësisë. Janë një përpjekje për ta mbytur të vërtetën, përpara se ajo të dalë në dritë.

Por kush ka frikë nga Prençi?
Kush po paguan këtë fushatë intimidimi?
Dhe mbi të gjitha, kush po tenton të ndalojë hetimet që prekin kupolën e korrupsionit shqiptar?

Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje. Dhe përgjigjet do të jenë të rënda.