Ja me kë dhe si i vodhi paratë Çuçka i Kolonjës, SPAK kap ‘merimangën’ e Salillarit. A i palosi Isai veshët me lekët e tenderave?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 24/09/2025

Ja me kë dhe si i vodhi paratë Çuçka i Kolonjës, SPAK kap ‘merimangën’ e Salillarit. A i palosi Isai veshët me lekët e tenderave?

SPAK ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka i Kolonjës, për katër akuza; korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe fshehje pasurie. Akuzat, Isait i janë komunikuar ditën e djeshme, të martën, ku bashkë me të janë marrë të pandehur edhe 6 persona të tjerë zyrtarë të Bashkisë së Kolonjës.

Prokurori i çështjes është Dritan Prençi. Pas hetimeve të kryera mbi tenderat e shpallur nga Bashkia Kolonjë, ka rezultuar se shumica e tyre janë paracaktuar për disa klientë të Çuçkës. Po ashtu, punimet e realizuara për këto tendera nuk janë përfunduar as me cilësinë e duhur, as sipas projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.

Paratë e përvetësuara përmes procedurave fiktive tenderuese dhe mashtrimit me zbatimin e kontratave janë ndarë më pas sipas roleve, duke i investuar në pasuri të paluajtshme. Hetimet e SPAK-ut kanë konstatuar të gjitha aferat e denoncuara nga Prapaskena prej tre vitesh për Erion Isain.

Një rast konkret që përmendet është ai i rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.

Rreth 200 mijë euro të këtij tenderi, Erion Isai dyshohet se i ka vjedhur me biznesmenët Ardit Liçaj dhe Spiro Zoto. Prapaskena mëson se ‘merimanga’ e supervizimeve fiktive, Entela Çano, është pjesë e kësaj dosje. Entela Çano është dora e zezë e oligarkëve, por sidomos Pëllumb Salillarit, për vjedhjen e parave publike, përmes certifikimit të punimeve të pakryera.

Në rrethet e biznesit njihet si çelësi i Salillarit. Pas çdo tenderi të madh që përlan një oligark, shfaqet edhe ajo si mbikëqyrëse e punimeve. Ndryshe, vjedhja e parave publike me punime fiktive, nuk do të mund të realizohej.

BKH-ja ka sekustruar një telefon të Entela Çanos, ku nga zbërthimi i komunikimeve është zbuluar skema e vjedhjes me supervizimet. Entela Çano përmes kompanisë A & E ENGINEERING, ka certifikuar edhe punimet skandaloze të rrugës Korçë-Ersekë të kryera nga kompania A.N.K në pronësi të Agim Kolës, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola.

Madje hetimi ka nisur për shembjen e rrugës Korçë-Ersekës, ku gjatë hetimit SPAK ka zbuluar aferat në Bashkinë e Kolonjës.

Në vitin 2020, Çuçka i dha Agim Kolës tenderin me vlerë rreth 5 milionë euro me objekt ‘ndërtim i ujelësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave faza e dytë nga burimet e Kozelit’. Më pas, Isai ka kontraktuar Entela Çanon për mbikqyrjen e punimeve. Më pas, Isai, Kola dhe Çano kanë vjedhur paratë përmes mashtrimit me zbatimin e kontratës.

Pas aferave, kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka, ka shkurtuar dhe rimodeluar veshët. Në vitin 2023, Çuçka u shaq me veshë të zvogëluar dhe të palosur.

Pas shkurtimit të veshëve, Çucka nisi të investonte në pasuri të paluajtshme në emra të tjerë, ndërsa i hyri edhe anglishtes, të cilën e asimiloi shumë shpejt, me një theks ‘ersekar’.

Paratë publike Çuçka e Kolonjës i ka ndarë me Behar Çukaj, Agim Kola, Artit Metaliaj, Erjon Këri, Adriatik Zeqillari, Entela Çano etj.

La pagën 5 mijë euro për një rrogë 680 mijë lekë të vjetra

Tre vjet më parë, aktori i humorit Erion Isai tregoi ‘sakrificën e tij’ për interes publik pasi la një pagë rreth 5 mijë euro në televizion për një rrogë 680 mijë lekë të vjetra si kryetar i Bashkisë Kolonjë. Madje Isai tha se e kishte pasur rrogën më të lartë kur ishte 15 vjeç se sa tani si kryetar bashkie.

Unë isha 15 vjeç dhe kam marrë atëherë që ishte fillimi, 850 mijë lekë rrogë në muaj. Tani është e kryetarit të bashkisë rroga më e vogël në jetë, që është 680 mijë lekë të vjetra“, ka rrëfyer Erion Isai.

Prapaskena beson se e ka gjetur një nga arsyet e kësaj ‘sakrifice’ të pashembullt për popullin e Kolonjës.

Një prej arsyeve është edhe Adriatik Zeqillari, administrator dhe pronar i kompanisë së ndërtimit Zeqillari shpk (L61912024O).

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka, ka gjetur Zeqillarin si klient të konsoliduar tashmë, për kanalizimin, vjedhjen dhe ndarjen e parave të tenderave.

Bëhet fjalë për shuma të tilla, para të cilave të gjitha rrogat e Erion Isait, janë bakshishe.

Nga 25 tendera që kompania Zeqillari ka marrë në total e vetme dhe në bashkëpunim, 10 tendera me vlerë miliona euro i ka marrë pikërisht nga Bashkia e Kolonjës, me firmën e Erion Isait, i cili ka rimodeluar edhe veshët.

Tenderat i ka fituar pa plotësuar kriteret dhe duke mashtruar edhe me zbatimin e kontratave, në bashkëpunim me Erion Isain.

Përqëndrimi i një kompanie duke fituar tenderat kryesorë në një bashki krijon dyshime të arsyeshme për një skemë klienteliste mes titullarit të autoritetit kontraktor dhe pronarit të komapnisë fituese, me qëllim kontrollin dhe ndarjen e parave publike.