Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e regjistruar një vit më parë, ku më 15 mars 2024 u ekzekutua në oborrin e shtëpisë ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja.
Grupi hetimor ka marrë në pyetja Armida Bejtjën, bashkëshorten e viktimës, e cila sipas dëshmisë së saj, të pasqyruar së fundmi nga Abc News, thuhet se ka qenë dëshmitare e ngjarjes bashkë me fëmijët.
Ajo ka deklaruar para hetuesve se në momentin kur dhe ndodhi atentati një prej autorëve e kishte mbajtur të bllokuar atë dhe fëmijët dhe dy të tjerë kishin ekzekutuar bashkëshortin e saj.
“Jam e martuar prej disa vitesh me Gentian Bejten dhe kemi tre fëmijë. Me 15 mars 2024, rreth orës 16:00, së bashku me bashkëshortin kemi dalë nga banesa e vjehrrit dhe kemi shkuar në banesën tonë, që ndodhet vetëm disa metra larg.
Me vete kemi pasur edhe dy fëmijët. Gjatë kohës që bashkëshorti ka qenë duke ujitur disa perime që kishte kultivuar në një serë pranë banesës, kam vënë re se kanë hyrë tre persona të armatosur. Njëri prej tyre më ka mbajtur të bllokuar mua dhe fëmijët, ndërsa dy personat e tjerë kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të bashkëshortit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, mësohet të ketë thënë ajo.
Kujtojmë që Gentjan Bejtja ka qenë në oborr duke vaditur disa fidanë domate, ku autorët të maskuar dhe veshur me të zeza kanë hyrë në portë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt tij.
Autorët dyshohet se qëlluan që nga porta dhe më pas për të siguruar se e kishin vrarë, i janë afruar dhe e kanë qëlluar sërish. Plot 30 plumba kanë përshkruar trupin e Bejtjas që i shkaktuan edhe vdekjen.
Ish-polici i burgjeve, i cili i kishte shpëtuar disa herë atentateve e dinte se ishte në shënjestër dhe ndaj nuk jetonte në Fushë-Krujë, por ishte kthyer ditën e fundit pasi po bënte disa procedura për të shitur shtëpinë e tij, gjë të cilën do ja besonte djalit të xhaxhait, ndërsa vetë kishte planifikuar që të largohej nga Shqipëria së bashku me familjen.