Kaosi në seancën plenare, Këlliçi: Do përgjigjemi me strategji krejt ndryshe

Politikë

Publikuar: 18/09/2025

Kaosi në seancën plenare, Këlliçi: Do përgjigjemi me strategji krejt ndryshe

Seanca e sotme plenare, ishte e planifikuar si maratonë, por në fakt u zhvillua për vetëm 25 minuta, si pasojë e irritimit të Partisë Demokratike ndaj “Diellës”.

Në një komunikim me lidhje të drejtpërdrejtë në Klan News, deputeti demokrat, Belind Këlliçi, foli për atë se çfarë ndodhi në seancën e sotme mes debatesh dhe miratimi i një qeverie të re në kohë rekord.

Këlliçi analizoi shkurtimisht se çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e cila u bë pas mbarimit të seancës. Deputeti demokrat sqaroi se PD-ja do të përgjigjet ndaj mazhorancës me një strategji plotësisht të re.

“Kemi pasur një mbledhje shumë të gjatë të grupit parlamentar. Do vijojmë të kemi sërish mbledhje edhe një kalendar shumë intensive të mbledhjeve dhe takimeve. Ka pasur propozime nga më të ndryshme. Padiskutim ne do duhet të përgjigjemi me një strategji edhe komunikimi krejt të ndryshme.

Edhe organizimi krejt ndryshme, të gjithë këtyre skenarëve dhe kurtheve politike që mund të ngrejë mazhoranca, që më pas mund të transportohet në sytë e qytetarëve shqiptarë sikur janë skenare apo agjenda të opozitës, kur në fakt nuk janë të tilla. Janë krye këput të mazhorancës”, tha Këlliçi.

Kujtojmë se Partia Demokratike është shprehur gjithnjë pro modelit të “mosbindjes” në Kuvend. Mbetet për t’u parë sakaq nëse demokratët do të përdorin si strategji sërish mosbindjen në nivel më të “agravuar”, apo do të ketë realisht ndryshime të qasjes së tyre në Parlament ndaj mazhorancës.