Lufta me kartelet e kokainës në Venezuelë, SHBA dërgon 5 avionë F-35 në Porto Riko

Aktualitet

Publikuar: 14/09/2025

Lufta me kartelet e kokainës në Venezuelë, SHBA dërgon 5 avionë F-35 në Porto Riko

Në kulmin e tensioneve mes dy vendeve, SHBA-të dërgojnë edhe 5 avionë të tjerë luftarake për të monitoruar hapësirën ajrore të kufirit në Venezuelë, me qëllim luftën ndaj karteleve të drogës.

Pesë avionë luftarakë F-35 të Forcave Ajrore Amerikane zbarkuan në Porto Riko të shtunën, disa ditë pasi Presidenti Donald Trump urdhëroi vendosjen e 10 avionëve luftarakë të fshehtë në territorin e Karaibeve, informon “Reuters”.

F-35 zbarkuan në ish-bazën ushtarake Roosevelt Roads në Ceiba, Porto Riko. Helikopterë ushtarakë dhe avionë Osprey janë parë gjithashtu në zonë ditët e fundit. Të hënën, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth bëri një vizitë surprizë në Porto Riko.

I pyetur në lidhje me avionët, një zyrtar i Pentagonit tha:

“Nuk kemi asnjë ndryshim në qëndrimin tonë ushtarak për të njoftuar në këtë kohë”.

Administrata Trump kishte porositur 10 avionë luftarakë F-35 në Porto Riko për të kryer operacione kundër karteleve të drogës.

Duke njoftuar planet e tij për të vendosur forca shtesë ushtarake në rajon, Trump kishte thënë se qeveria amerikane nuk po fliste për ndryshimin e regjimit në Venezuelë.

Javën e kaluar, forcat e armatosura amerikane sulmuan një motoskaf që dyshohet se mbante drogë, duke vrarë 11 persona në bord, të cilët u përshkruan si anëtarë të bandës Tren de Aragua, një pretendim i mohuar nga Karakasi, i cili tha se asnjë nga 11 personat e vrarë nuk ishin trafikantë droge.

Të shtunën, qeveria venezueliane denoncoi ndalimin e paligjshëm të një anijeje peshkimi nga një anije luftarake amerikane.