Qeveria shqiptare përfshin IA në kabinet: Mediat kroate raportojnë mbi Diellën

Aktualitet

Publikuar: 13/09/2025

Qeveria shqiptare përfshin IA në kabinet: Mediat kroate raportojnë mbi Diellën

Shqipëria ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me prezantimin e ministres së parë virtuale në qeverinë “Rama 4”. Diella, do të jetë përgjegjëse për të gjitha procedurat e prokurimit publik, njoftoi të enjten kryeministri Edi Rama.

Lajmi është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat kroate, që e shohin këtë si një risi globale, duke vënë në pah kontrastin midis optimizmit zyrtar (teknologji kundër korrupsionit) dhe skepticizmit shoqëror (kush do të mbajë përgjegjësi nëse AI dështon ose manipulohet).

Televizioni Publik Kroat (HRT) e ka përshkruar Diellën si “një ministre të lirë 100% nga korrupsioni”.

“Shqipëria ka emëruar një bot të inteligjencës artificiale, Diella, si ministre për të luftuar korrupsionin. Ajo do të merret me tenderët publikë dhe, sipas kryeministrit Rama, do të jetë ‘100% e lirë nga korrupsioni’.

Paraqitet si një hap inovativ dhe unik në nivel botëror, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes për digjitalizimin dhe luftën ndaj korrupsionit”, shkruan HRT. 

Ndërsa portali N1 Info ka theksuar natyrën simbolike të këtij emërimi, duke rikujtuar njëkohësisht skepticizmin e publikut shqiptar me komente të tilla si: “Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri”.

“Diella nuk do të mund të blihet, kërcënohet apo joshet, sepse ajo është virtuale.”

Paraqitet si simbol i transparencës, por nënvizohet edhe skepticizmi publik me komente të tipit: ‘edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri’. Diskutimi për legjitimitetin kushtetues e bën këtë rast temë polemikash”, shkruan N1.

Portale të tjera si “Crna Hronika” kanë theksuar dimensionin inovativ të këtij vendimi, por kanë ngritur pikëpyetje mbi funksionalitetin konkret të një ministre virtuale dhe çështjen e përgjegjësisë në rast të dështimeve apo manipulimeve.

Shqipëria emëroi ministren e parë virtuale të prokurimit publik”, shkruan “Crna Hronika“, ndërsa  në artikull theksohet më shumë aspekti simbolik – një shenjë modernizimi dhe digjitalizimi. Por lihen pyetje të hapura mbi funksionimin praktik dhe mbi rolin real që Diella do të ketë./ TemA