Projekti / Prishja e Parlamentit qokë për Berishën? Heshtja dhe plani i dhëndrit e Shkëlzenit për kulla nga SHQUP-i deri te Kalaja e Tiranës, pazari me pasurinë publike

Investigim

Publikuar: 13/09/2025

Projekti / Prishja e Parlamentit qokë për Berishën? Heshtja dhe plani i dhëndrit e Shkëlzenit për kulla nga SHQUP-i deri te Kalaja e Tiranës, pazari me pasurinë publike

Në fjalën e tij gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama njoftoi planin për ndërtimin e një kompleksi të ri për Kuvendin e Shqipërisë, duke bashkuar në një godinë sallën e seancave plenare, komisionet parlamentare dhe çdo shërbim tjetër parlamentar.

Kuvendi i Shqipërisë miraton dhe nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet. Nuk ka pavarësinë e vet financiare, nuk ka status të deputetëve të vet,nuk ka një administratë të mbështetur sa dhe si duhet në funksion të sfidave të veta dhe madje Kuvendi i Shqipërisë është pa shtëpi, nuk ka një shtëpi që të garantojë praktikën, por dreqi e mori edhe estetikën e një parlamenti të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Krahas vendimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, godina e re për Kuvendin ishte risia më e rëndësishme që prodhoi mbledhja e Asamblesë, pasi qeveria e re është pothuajse ajo që ishte, me disa ndryshime jo themelore.

Ka pasur dy përpjekje për ndërtimin e Kuvendit të ri. Në 2007, kryetarja e Kuvendit në atë kohë Jozefina Topalli prezantoi projektin fitues për ndërtesën e re që do të ngrihej mbi godinën ekzistuese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila dikur strehonte Byronë Politike të Partisë. Në 2010, kryeministri Sali Berisha deklaroi se 100-vjetori i ardhshëm i vendit në vitin 2012 duhej të festohej me një ndërtesë të re parlamenti te Piramida. Të dyja nismat u harruan.

Mbetet për t’u parë se ku do të ndërtohet godina e Kuvendit, por të gjitha gjasat janë që ndërtesa pranë Kalasë së Tiranës ku zhvillohen seancat plenare do të shembet. Ndërkaq, Sali Berisha nuk la ministër të ri dhe të vjetër pa e ‘kënduar’, por për vendimin më të rëndësishëm, ndërtimin e Kuvendit të ri, nuk tha asnjë fjalë.

Në vitin 2013, pasi kishte marrë verdiktin popullor për të dorëzuar pushtetin, Sali Berisha ktheu Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP) në seli për PD-në, përmes Flamur Nokës dhe Bujar Nishanit, në kundërshtim me ligjin. Edi Rama, përmes Mimi Kodheli, paralajmëroi në gusht 2013 se sapo të merrte drejtimin e qeverisë në shtator, do t’ia kthente godinën në gjendjen e mëparshme.

Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtarë të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i Shefit të Shtabit të forcave të armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, tha zonja Kodheli, asokohe Ministre e Mbrojtjes.

Pasi mori detyrën e kryeministrit, Edi Rama nuk e përmendi më çlirimin e pasurisë publike (SHQUP) nga Berisha. Rama u tërhoq edhe nga zotimi për anulimin e disa koncensioneve të denenocuara nga socialistët si korruptive dhe të lidhura me Familjen Berisha.

Në 29 maj 2013, disa muaj para se të largohej nga pushteti, Sali Berisha firmosi vendimin për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, bashkë me një komples kullash.

Ndërtimi i kullave ishte planifikuar në hapësirën mes Xhamisë së Namazgjasë dhe SHQUP-it. Ishte hera e parë që miratohej një vendim për ndërtimin e një xhamie me kullë.

Vendimi i Berishës u ‘krasit’ më pas nga Edi Rama, duke lënë vetëm xhaminë. Megjithatë, Familja Berisha jo vetëm që nuk hoqi dorë nga ideja e kullave, por një plan i fshehtë u zbulua tre vite më parë, për të ndërtuar një hotel luksoz në vend të godinës së SHQUP-it.

Projekti është bërë nga një studio arkitekturore indiane, NBM Media, ndërsa përshkruhet vendi i zbatimit, mes Parlamentit, Xhamisë dhe Kishës Katolike, që përkon pikërisht me selinë e PD-së. E themeluar në vitin 1995, studioja indiane konsiderohet më e madhja në industrinë e ndërtimit në Indi dhe Azinë Jugore. 

Në përshkrimin e projektit thuhet ndër të tjera se projekti parashikon “një hotel të klasit botëror, apartamente luksoze dhe zyra komerciale, dyqane dhe parkim të bollshëm. Për më tepër, hapësira jashtëzakonisht të larmishme në natyrë, kopshte të bukura të gjelbëruara dhe zona inovative për shikimin e njerëzve, ky zhvillim arkitektonik mahnitës me përdorime të përziera do të bëhet një destinacion historik në Tiranë, por gjithashtu do të shërbejë me krenari si vitrinë e botës”.

Në 8 janar 2022, Sali Berisha dhe Lulzim Basha u përfshinë në një përplasje të dhunshme, në prag gjakderdhje, për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk u tërhoq nga marrja e SHQUP-it edhe pse në fund të fundit legjitimitetin nuk ta jep një godinë, por mbështetja e strukturave, mbledhjet dhe vendimmarrjet brenda kornizave të statutit.

Pas përleshjes doli në pah edhe plani për kulla. Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën se kishte në plan të zhdukte selinë e PD-së për të ndërtuar kulla. “Lul Brava në mediat që paguan po kërkon të përgenjështojë lajmin e botuar në mediat e vendit për një kompleks gjigand e lluksoz kullash, i cili e zhduk selinë e PD nga aty ku ndodhet, duke thënë se ai projekt është firmosur nga unë në 2013“.

Partia Demokratike, e drejtuar nga Basha, mohoi që në truallin ku do ndodhet selia blu do të ndërtoheshin kulla. Për të hequr vëmendjen nga dhuna që Sali Berisha dhe banda e tij ushtruan me 8 janar, ai ka shpërndarë një gënjeshtër alla Sali gjate ditës së sotme. Kjo është vetëm një gënjeshtër e re, mashtrimi i rradhës i Sali Berishës. Sqarojmë gjithë opinionin publik se selia e Partisë Demokratike është pronë publike. Ajo është shtëpia e demokratëve, nuk është bunkeri i Sali Berishës e aq më pak hapsira e pastrimit të parave të ortakeve të tij.

Më i ashpër ishte Gazment Bardhri, asokohe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Qesha pa fund me mashtrimin e sotëm të Sali Berisha. Na akuzon ne se po japim godinën e PD për ndërtim!!! Turp e faqja e zezë, deri ku shkon ligësia, mashtrimi dhe sajesat e një njeriu që ka humbur arsyen…”.

Botuesi i Gazetës Tema, Mero Baze komentoi me ironi lidhur me dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, duke thënë se “qante” pasi i kanë ikur kulla nga duart.  “Kjo shpjegon qartë pse dhendri Berishës qan për lekë buzë Lanës. I paskan ik kullat nga duart. Vjehrri i ka bë gati dhe lejen, dhe meqë humbi pushtetin zaptoi ShQUP-in që mos të zbatohej plani pa riardhur në pushtet. Lul Basha meriton të pushkatohet me këtë gjëmë që u ka bërë, që i ka lënë pa kulla. Pak i kanë bërë më 8 janar”.

Për sa kohë e kishte Bashën nën kontroll, rrjedhimisht edhe selinë e PD-së, Berisha nuk kishte folur kurrë për planin e kullave. Por, Berisha nuk i përmendi më kullat as pasi ia mori selinë Lulzim Bashës, i cili doli edhe nga skena politike në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Vendimi për ndërtimin e një godine për Kuvendin krijon një terren të ri për ndërtimin e kullave tashmë nga SHQUP-i deri tek Kalaja e Tiranës, zonë në të cilën vlera në kulla ka shkuar 10 mijë euro m2. Nga ana tjetër, nuk është më sekret sot që djali dhe dhëndri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë kthyer sot në ndërtuesit kryesorë në Shqipëri, herë drejtëpërdrejtë dhe herë të kamufluar pas një rrethi biznesmenësh, duke marrë leje për kulla dhe resorte nga Tirana, Drilon, Kasamil etj.

A është piketuar zona nga Lana deri tek Kalaja e Tiranës si qokë për kulla për Familjen Berisha, si faktor vendimtar për kontrollin e opozitës dhe pushtetin e socialistëve? Koha ka treguar se heshtja e Sali Berisha ka gjithmonë një çmim të lartë!