Nga këtu shihet, në këmbë dhe me kravatë, në sallën e luftës në Tel Aviv: mbi xhaketë shenja e verdhë e pengjeve, mbi hartë shikimi i përqendruar, pas shpine ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe krerët e inteligjencës. Nga ana tjetër shihen ata të gjashtë ulur me këmishat e zbërthyera, në sallën e Dohas të dekoruar me trëndafila dhe shishe uji, pranë një tabloje gjigante shumëngjyrëshe dhe abstrakte: krejt të paditur për faktin se ajo mbledhje është gati të shndërrohet në një “Samit Zjarri”. Janë dy fotot e fundit, pak para ferrit.
Samiti i thirrur për një armëpushim në Gaza dhe për të diskutuar mbi propozimin e radhës amerikan. Çasti i saktë kur kryeministri izraelit Bibi Netanyahu vret negociatën për Gazën. Dhe përpiqet, ndoshta pa sukses, të shembë kryesinë e Hamasit. Vonë në mëngjes, dhjetë avionë luftarakë izraelitë shfaqen në qiell sikur nga hiçi. “Nuk kanë kaluar hapësirën tonë ajrore”, do të nxitojnë të sqarojnë të gjithë, jordanezë e sauditë, kuvajtianë e emiratas.
“Radarët tanë nuk i kanë kapur”, sigurojnë nga Doha. Errësirë edhe për ne, bëjnë me dije nga aeroplanmbajtëset amerikane në Gjirin Persik. Shumë të tjerë kthyen kokën nga ana tjetër: nga Shtëpia e Bardhë pranojnë se ishin njoftuar për sulmin disa orë më parë, Bibi e pretendon si një “operacion tërësisht të pavarur për të cilin marrim çdo përgjegjësi”, një burim përfshin edhe katarianët (“e dinin”) dhe i detyron të përgënjeshtrojnë.
Është një sulm i paparë dhe “i pabesë”, proteston emiri dhe me të gjithë bota arabe, OKB-ja dhe pjesa më e madhe e vendeve europiane: “Një shkelje flagrante e çdo ligji ndërkombëtar”, thotë Katari, i goditur nga shuplaka ndaj një aleati të Amerikës, ndaj një prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, ndaj vendit që bashkëpunonte më shumë me Egjiptin për të gjetur një marrëveshje për Gazën.
Aksioni zgjat shumë pak. Patrulla përdor “municione precize dhe inteligjencë shtesë”, bëhet me dije, por ndoshta saktësia nuk është ajo e një viti më parë në Teheran, në eliminimin e Ismail Haniyeh. Në shënjestër, kësaj here është “udhëheqja drejtpërdrejt përgjegjëse për 7 tetorin dhe që dirigjon luftën kundër Izraelit”. Një duzinë shpërthimesh në lagjen Al Qatara, një zonë e Dohas pa shumë pallate. Gjashtë të vrarë, plus një agjent sigurie. Avionët godasin dy banesa dhe vrasin me siguri djalin e Khalil Al Hayya-s, “ministrit” në mërgim për Gazën, bashkë me shefin e stafit Jihad Labad.
Në fotografinë e fundit të delegacionit nuk shfaqet Khaled Meshaal, udhëheqësi i Hamasit jashtë vendit: ndoshta ia ka dalë, ai si edhe peshqit e tjerë më të mëdhenj, miku i iranianëve Zeher Jabarin dhe kreu i parlamentit, Muhammad Darwish. Tym, pluhur, ulërima, videot e trazuara të celularëve, komenti i parë: “Na tërhoqën në grackën e bisedimeve, për të na goditur”.
Objektivi kryesor ishin me siguri Hayya dhe Jabarin, strategët e ndërmjetësimit: më të ashpërit dhe më të papajtueshmit, shpesh në kontrast me komandantin në terren Izz Al Haddad, të kritikuar edhe banorët e Gazës për jetën e tyre luksoze në Katar dhe për përbuzjen e dukshme, të plotë, ndaj kushteve katastrofike të palestinezëve.
Shënjestra, shpjegojnë nga IDF, do të ishte arritja e negociatave pikërisht me Haddad-in: “Një operacion i ngjashëm me atë të vitit 1982 në Liban, një bombardim që atëherë e bëri Yasser Arafatin të vetmin bashkëbisedues”. “Është një incident i pafat“, minimizon Donald Trump, fillimisht dakord e pastaj pak më pak, “që shpresojmë të përfaqësojë një mundësi për paqe”.
Stop. Ndërmjetësimi i Dohas përfundon këtu, tavolina nuk ekziston më. Krerët e Hamasit janë të tmerruar, tani që lufta e Gazës po eksportohet edhe në Gjirin Persik.
“Vendosëm të hënën“, shpjegon Netanyahu, “pas atentatit në autobusin e Jerusalemit dhe vrasjes së katër ushtarëve në Gaza“. Më të shqetësuarit nga kjo zgjedhje janë familjarët e pengjeve, natyrisht: “Mundësia e kthimit të tyre tani është më e pasigurt se kurrë, me një gjë absolutisht të sigurt: koha e tyre po mbaron”. “Dridhem nga frika”, thotë Einav Tsengauker, babai i të rrëmbyerit Matan. “Është e mundur që kryeministri të ketë vrarë djalin tim”.
Dëshpërimi i familjeve izraelite uk ndahet nga banorët e Gazës. Sepse në Rrip, tashmë, është përtej çdo shkëndije shprese. Banorët e qytetit të Gazës kanë filluar evakuimin total, siç urdhëroi dje në mëngjes Netanyahu. Fillon ndjekja nga IDF shtëpi më shtëpi, peng për peng. Dhe të gjithë duhet të zhvendosen në Jug, në “zonat humanitare” të ngritura nga izraelitët. Një milion palestinezë. Kush nuk ja del, i plagosur ose i uritur, kërkon një makinë ose një furgon: por kalimi kushton një mijë dollarë, dhe ata nuk kanë mundësi ta përballojnë. Ndonjë mjek kundërshton, spitali Shifa mbetet i hapur, pjesërisht sepse pacientët shpesh nuk mund të transportohen. Kampet e refugjatëve, pastaj, janë tejmbushur dhe edhe po të doje nuk gjendet më vend. Bombat për disa orë bien mbi Katar. Turmave që ecin ngadalë, poshtë-poshtë përgjatë Rripit, u garantohet një kalim i lirë. Nga qielli, bie një shi fletëpalosjesh dhe dikush ka madje dëshirë t’i lexojë: Hamas do të të pengojë të largohesh! Raporto kërcënimet e tij dhe postblloqet e tij!”. Ka edhe një numër telefoni për të thirrur, 0529625830: por kush e ka më, një telefon?/Corriere della sera