Enno Bozdo: Opozita duhet të luftojë në çdo front, nuk mund të braktisim ato 50 karrige që kemi marrë në Parlament

Politikë

Publikuar: 09/09/2025

Enno Bozdo: Opozita duhet të luftojë në çdo front, nuk mund të braktisim ato 50 karrige që kemi marrë në Parlament

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Enno Bozdo tha se opozita nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, por gjithashtu nuk do të braktisë frontin parlamentar. 

“Rezultatin e 11 majit e kemi ankimuar dhe e konsiderojmë jolegjitim, por kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin apo jo të PD në Parlament. Në fund të ditës, demokratët kanë votuar për ne. Ne nuk jemi aty për të lënë edhe ato 50 karrige që kemi marrë,” u shpreh Bozdo gjatë një interviste në News24.

Sipas tij, Parlamenti mbetet një nga frontet më të rëndësishme të përballjes opozitare dhe nuk mund të lihet bosh, pavarësisht qëndrimeve kundër rezultatit të zgjedhjeve.

Bozdo parashikoi se legjislatura e re nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në mënyrën se si funksionon Kuvendi, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe për mosrespektim të Gjykatës Kushtetuese.

“Mazhoranca është tallur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është ndryshuar rregullorja e Kuvendit pa konsensusin e palëve. Kjo është një shkelje e rëndë dhe do të ketë pasoja në funksionimin e demokracisë parlamentare.”

Ai theksoi se opozita duhet të përdorë të gjitha format e aksionit për të ushtruar presion, duke përfshirë edhe protesta apo strategji të tjera të forta politike.

“Çdo formë është e mirë për sa kohë sjell rezultatin. Kur ke të drejtë, nuk ke pse fshihesh. Opozita nuk duhet të kursejë asnjë mjet për të denoncuar dhe kundërshtuar padrejtësitë.”