Skema familjare e Ilda Duhanxhiut, konflikt interesi, provime, restorante dhe qindra mijëra euro me kontrata të dyshimta

Investigim

Publikuar: 06/09/2025

Skema familjare e Ilda Duhanxhiut, konflikt interesi, provime, restorante dhe qindra mijëra euro me kontrata të dyshimta

Në një kohë kur integriteti profesional dhe transparenca janë kusht për besueshmërinë e institucioneve, rasti i Ilda Duhanxhiut shfaqet si shembull klasik i konfliktit të interesit, abuzimit me pozita publike dhe përdorimit të strukturave shtetërore për të avancuar interesa private.

Aktualisht, zonja Ilda Duhanxhiu mban disa poste kyçe si; Anëtare e Këshillit të Drejtimit të IEKA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar). Anëtare e Komisionit të Provimeve të Aftësisë Profesionale (KPAP), strukturë nën varësinë e Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP). Kryetare e Komitetit të Regjistrimit në IEKA.

Ligji dhe rregulloret e ndalon qartë që anëtarët e komiteteve te BMP-së të kenë role të dyfishta në organizata të tjera profesionale, pikërisht për të shmangur konfliktin e interesit. Megjithatë, Duhanxhiu i mban të dyja, duke qenë njëkohësisht gjyqtare e provimeve dhe pjesë e qeverisjes së organizatës ku kandidatët regjistrohen.

Këtu qëndron edhe skandali i parë: individët që fitojnë provimet e Komisionit të Provimeve (ku Duhanxhiu është anëtare) regjistrohen më pas nga Komiteti që ajo vetë kryeson. Ky është një konflikt interesi flagrant, i cili shkel rregullat e BMP-së dhe hedh poshtë çdo pretendim për proces të pavarur.

Vetë Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka përcaktuar se: “Anëtarët e Komisionit të Provimeve nuk duhet të jenë në strukturat/këshillat drejtuese të më shumë se një organizate profesionale.

Rrjeti i shoqërive të familjes Duhanxhiu

Skandali thellohet kur shihet lidhja direkte me aktivitetet private të familjes së saj:

• Evis Duhanxhiu (motra)
• NIPT: L62227001J, Person Fizik Aktiv
• Veprimtaria: Konsulencë dhe shërbime financiare, Kontabël i Miratuar, Përkthime zyrtare.

• IAI CONSULTING sh.p.k
• NIPT: M21523054G
• Pronare 100%: Ilda Duhanxhiu
• Administratore: Evis Duhanxhiu
• Veprimtaria: Shërbime “back office” dhe asistencë kontabël/fiskale.

Kompanitë e mësipërme nuk janë te regjistruar në asnjërën prej shoqatave profesionale të kontabilitetit, megjithëse operojnë në këtë fushë – një tjetër shkelje e hapur e rregullave.

• Public Accounting Service Union and Trust sh.p.k
• NIPT: L21423032S
• Ortake 100%: Ilda Duhanxhiu
• Administratore: Evis Duhanxhiu
• Veprimtaria: Auditim bilancesh për shoqëri tregtare, shoqata, fondacione, projekte dhe çdo subjekt juridik.

• CENTER 22 sh. p.k
• NIPT: M21319036F
• Ortake 100%: IAI CONSULTING
• Veprimtaria: Bar – Kafe, Restorante, Hotele, Fshatra Turistike.

Këto shoqëri krijojnë një rrjet familjar, ku Ilda shfaqet si ortake e vetme, ndërsa motra Evis si administratore. Kontrata e lokalit raportohet se është përdorur për skema pastrimi parash dhe për lënien e zarfeve të provimeve.

Dyshimi i madh lind se si motra e Ilda Duhanxhiut ka arritur të krijojë një shoqëri që operon në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që shoqëria e kontabiliteti IAI Consulting shpk ‘investon’ vlerën e kontratës së lokalit.

Ky mekanizëm ngre pikëpyetje serioze mbi burimin e fondeve, funksionimin e aktivitetit dhe qëllimin final të marrëdhënieve kontraktuale. Evis Duhanxhiu është person që ka kaluar provimet e aftësisë profesionale pikërisht në kohën kur Ilda ishte anëtare e KPAP një konflikt interesi i pastër dhe në shkelje të çdo etike profesionale.

Konflikti i interesit me Erisa Rodhanin

Në këtë tablo futet edhe emri i Erisa Rodhanit:
• Drejtoreshë në Ministrinë e Financave.
• Anëtare në një komitet të BMP-së.
• Njëkohësisht stazhiere me kohë të plotë tek Ilda Duhanxhiu.

Pra, Rodhani është njëkohësisht punonjëse në Ministrinë e Financave vartëse institucionale e BMP-së dhe punonjëse private e Duhanxhiut, duke shkelur çdo standard të ndarjes së roleve publike dhe private. Erisa Rodhani luan dy role të papajtueshme, duke qenë njëkohësisht në institucionin mbikëqyrës dhe stazhiere e Ildës.

Anomalitë me provimet dhe stazhin
Erisa përfundon stazhin në vitin 2024, por arrin të marrë provimet dhe  titullin “Auditues Ligjor” që në vitin 2023. Kjo shkel procedurën standarde të licencimit dhe hap dyshime për favorizim.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje
Si i siguron Ilda këto emërime auditimi, kur ekziston një konflikt kaq i hapur interesi?
• Si lejohet që një funksionare si Erisa të ketë dy role që bien ndesh me njëra-tjetrën, dhe të favorizohet në provime para përfundimit të stazhit?
• Pse mekanizmat e kontrollit institucional nuk reagojnë?
• Pse njerëzit e lidhur me Ben Ahmetajn vazhdojnë të marrin përfitime publike, duke u ushqyer me paratë e taksapaguesve?

Kjo nuk është thjesht çështje morali profesional, por një shembull tipik i kapjes së institucioneve nga rrjete klienteliste, ku ligji anashkalohet për të mbrojtur interesat e një grupi të vogël. Çdo ditë që këto marrëveshje dhe këto figura mbeten pa u hetuar, dëmtohet jo vetëm buxheti publik, por edhe besimi i qytetarëve tek shteti dhe te drejtësia.