Avokati Romeo Kara ka komentuar dosjen e ish presidentit Meta. Apeli i Posaçëm do të vendosi në datën 8 shtator lidhur me lirimin ose jo të tij.
Kara tha se lirimi ose jo i Metës ka të bëjë me mundësinë e revokimit të masës së arrestit, ndërsa sipas tij nëse prokuroria ka fakte që Meta mund të intimidojë procesin, atëherë nuk duhet të lihet në paraburgim.
“Lirimi ose jo ka të bëjë me mundësinë që të revokohet masa e arrestit, varet sesi Gjykata mund ta interpretojë ose varet dhe nga fijet që luhen pas proceseve të tilla. Kemi rastin e Berishës që u lejua të dalë nga arresti në shtëpi dhe sot vazhdon të kryejë intimidime ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke çapëluar në mënyrë të hapur procesin e tij.
E vërtetuam që Gjykata dha një vendim të gabuar, nëse prokuroria ka me fakte dhe prova që Meta mund të intimidojë procesin atëherë nuk duhet të jetë në gjendjen e paraburgimit”, u shpreh avokati për “Abc News”.
Nga dyert e SPAK, Berisha i quajti avokatët Altin Dumanin dhe Irena Gjokën si kriminelë, koment të cilin Kara e quajti si konsum të veprës penale. Avokati tha gjithashtu se Berisha është simbol i së keqes dhe se vetë institucionet ja ushqejnë faktin që është mbi ligjin dhe sundimtar i tij.
“E keqja që simbolizohet me Berishën e ngre zërin më shumë sesa e mira që duket në minorancë. Ne po sundohemi nga një pakicë që tenton të serviret si një shumicë që një i akuzuar të ngrejë zërin dhe të bëj vepra penale. Ato dënimet që jep Berisha pa gjyq, Gjykata ka qenë në shërbimin e tij. Ai ka kryer një kanosje për shkak të detyrës, ka konsumuar dy vepra penale dhe e përkëdhelin, ja ushqejnë se është mbi ligjin dhe është sundimtari”, u shpreh ai.