Presidenti kinez, Xi Jinping paralajmëroi se bota po përballet me një zgjedhje midis paqes dhe luftës, ndërsa mbajti paradën ushtarake më të madhe të Kinës, i shoqëruar nga udhëheqësi rus Vladimir Putin dhe ai i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duke përmbyllur shfaqje një javore diplomatike, e parë si mesazh ndaj Perëndimit.
Putin dhe Kim ishin mes dhjetëra udhëheqësve botërorë që morën pjesë në paradë, e organizuar për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të cilën Kina e quan Lufta e Agresionit Japonez. Pasi u pritën nga Xi Jinping, të tre shkëmbyen një bisedë të shkurtër ndërsa iu afruan vendit të ceremonisë, duke ecur në tapetin e kuq dhe duke u drejtuar drejt portës së Qytetit të Ndaluar.
“Sot, njerëzimi përballet me zgjedhjen midis paqes ose luftës, dialogut ose përballjes, fitores për të dyja palët ose shumës zero”, tha Xi para një turme prej më shumë se 50,000 spektatorësh në Sheshin Tiananmen.
Ai tha se Kina nuk “frikësohet nga asnjë ngacmues”, një referencë ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Gjatë paradës, u gjithashtu edhe një gamë e re pajisjesh ushtarake, duke përfshirë një raketë të re balistike ndërkontinentale bërthamore, DF-61, për të cilën Kina thotë se mund të transportojë koka bërthamore në objektiva të largëta, një raketë të re për transportimin e armëve hipersonike, një armë të re lazeri dhe madje edhe dronë ‘qen robotikë’. Ceremonia përfundoi me një shtrëngim duarsh midis Xi dhe Putin.
Një reagim për paradën erdhi edhe nga presidenti amerikan, i cili përmes një postimi në rrjete sociale, shkroi se udhëheqësit që ishin mbledhur po komplotonin kundër Shteteve të Bashkuara.
“Pyetja e madhe është nëse Presidenti Kinez Xi do ta përmendë apo jo mbështetjen dhe ‘gjakderdhjen’ e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kinës për të ndihmuar në sigurimin e LIRISË së saj nga një pushtues i huaj armiqësor. Shumë amerikanë kanë vdekur në ndjekjen e Fitores dhe Lavdisë nga Kina. Shpresoj që ata të nderohen dhe të kujtohen me të drejtë për guximin dhe sakrificën e tyre! Presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm kinez urojnë një ditë të madhe dhe të qëndrueshme festimi. Përshëndetje të përzemërta për Vladimir Putin dhe Kim Jong-un ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”