Trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Marbella-s, policia spanjolle nis verifikimet për ADN-në me familjarët e Miklovan Danajt

Kronike

Publikuar: 02/09/2025

Trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Marbella-s, policia spanjolle nis verifikimet për ADN-në me familjarët e Miklovan Danajt

Trupi i pajetë i Miklovan Danajt u raportua se u gjet ditën e djeshme nga autoritetet në Marbella të Spanjës, ndërsa prej kohësh ai ishte shpallur i zhdukur dhe kërkohej nga familja e tij.

Mësohet se pas gjetjes së trupit, që besohet se i përket Danajt, autoritet spanjolle kanë nisur verifikimet për identifikimin e saktë të tij.

Sipas gazetares Klodiana Lala, policia spanjolle ka marrë ADN-në e vëllait dhe vajzës së Danajt, me qëllim krahasimin e materialit genetik.

Danaj ishte i përfshirë në trafikun e kokainës dhe klanet ndërkombëtare.

“Guardia Civile ka nisur një hetim në Marbella. Nuk ka pasur arrestime dhe autoritetet nuk kanë zbuluar informacion mbi rrethanat aktuale të gjetjes.

Bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është i vazhdueshëm për të sqaruar situatën. Hetimi është duke vazhduar dhe autoritetet paralajmërojnë publikun të mos përhapë mesazhe ose informacione të pabazuara në lidhje me rastin”, thuhet në artikullin e “Costablancadaily” ditën e djeshme.

Kush ishte Miklovan Danaj?

Miklovani, i njohur ndryshe si ‘Keli’, njihej si një figurë e rëndësishme në trafikun e drogës në Evropë.

Mendohet se shkaku i vrasjes lidhet me aktivitetin e tij në tregun e kokainës, ku kishte arritur të forconte pozitat e tij në Evropë.

Miklovani pas largimit nga Pisa, Itali, ishte zhvendosur në Marbella, Spanjë, ku merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Me kalimin e viteve, ai ka krijuar grupin e tij dhe ka bërë emër mes bandave, por konflikte të brendshme dhe tradhëti nga bashkëpunëtorët mund t’i kenë kushtuar jetën.

Në maj, ai dyshohet se është marrë peng, dhunuar dhe vrarë, ndërsa policia spanjolle po heton zhdukjen, pa dhënë ende informacion mbi gjetjen e trupit.

Miklovani jetonte në Spanjë me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8 muajshe, ndërsa më parë ishte rritur në Pisa, Itali.

Personi i fundit që takoi Miklovani ishte bashkëshortja e tij. Ka qenë e shoqja e 30-vjeçarit që ka bërë denoncimin në Spanjë për humbjen e kontakteve me bashkëshortin, ndërsa kallëzimi u bë edhe në policinë e Shkodrës.

Pas zhdukjes së tij, një person ka shkuar tek familja e tij dhe u ka thënë që “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”