Më në fund, pas dy dekadash, biznesmeni Irfan Hysenbelliu (Fania) ka nisur të lirojë një prej godinave publike në Shkozë, për të cilën i kishte përfunduar kontrata e qirasë prej 3 vitesh. Fania do t’a ushtrojë (si të gjithë të tjerët) ‘lirinë e medias’ në bizneset e tij në zonën e quajtur ‘Rruga e Burgut’, ku ka ngritur disa pallate dhe shtëpinë e famshme 20 milionë euro, kuptohet edhe këtë mbi pronë publike, por të shkëmbyer me një djerrë në periferi të Tiranës, si një prej favoreve të shumta të qeverive të ndjeshme ndaj lirisë së medias!
Fania do të përdorë si magazinë një tjetër godinë publike po në Shkozë, për të cilën Arben Ahmetaj, në vitin 2016, ia zgjati kontratën e qirasë deri në vitin 2033. Qira në letra, pasi Fania, në kuadër të lirisë së medias, nuk ka paguar kurrë as qira dhe as taksa. Në të njëjtën kohë, Fania ka ‘blinduar’ me letra për 99 vjet godinën publike të Konviktit të Gjuhëve të Huaja, kthyer në biznes privat, ku ushtron lirinë akademike si Kristali dikur.
Ushtrimi i ‘lirisë së shtypit’ si të gjithë të tjerët në shtëpinë e tij është një mundësi edhe për shoqatat e gazetarëve apo asociacionet e lulishteve që tashmë të fokusohen tek të drejtat e gazetarëve që nuk marrin pagat dhe që ka dy vite pa siguracione, pasi deri tani janë sëkëlldisur duke mbrojtur të ‘drejtën’ e Fanes për të ruajtur privilegjet e paligjshme të pushteteve para se të prishej në pazare me Edi Ramën.
Në vend që të merret me hallet e popullit, ditët e fundit News 24 është kthyer në një kinema ku shfaqen vetëm dokumentarë rreth halleve të pronarit, betejës së tij epike për të mbajtur godinën shtetërore tre vjet pasi i kishte mbaruar kontrata e qirasë, përballjes me rrethimin e ‘lirisë së shtypit’ dhe ringritjes nga hiri i televizionit, tashmë te Rruga e Burgut.
Një tjetër element që tregon se liria e shtypit nuk është aq e rrezikuar nga ‘regjimi’ i Edi Ramës është fakti që një pjesë e biznesmenëve që financojnë Irfan Hysenbelliun për të ushtruar ‘lirinë e shtypit’, e bëjnë këtë gjë hapur, pa iu druajtur qejfmbetjes së qeverisë. Madje disa prej tyre përfitojnë leje për kulla, koncensione dhe tendera publikë nga ‘regjimi’ i Edi Ramës.
Wester Union dhe Union Net të Edmond Lekës, që shërbejnë për tranferimin e parave të pista, financojnë hapur biznesin mediatik të Irfan Hysenbelliut. Përmes kompanisë S-Systems, Edmond Leka ka përfituar miliona euro tendera me flamur të kuq nga OSHEE, një drejtori nën hyqmin e ministres Belinda Balluku, e shpallur armike nga Fania.

Në një kohë kur Leka financon Fanen, vetëm disa javë më parë, KKTU me në krye Edi Ramën, ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle 19 kate nga Edmond Leka, pjesërsisht mbi oborrin e Shkollës 1 Maji në Tiranë, përmes kompanive ‘Auto City’ dhe ‘Arch Investor’.

Një nga përfaqësuesit e kartelit të miellit në Shqipëri, Fuad Haxhiymeri financon kartelin mediatik të Fanes përmes shoqërive Prima dhe Bloja. Haxhiymeri ka kapur parkimin e automjeteve në Aeroportin e Rinasit, ndërsa jo vetëm nuk është ndëshkuar, por mbrohet nga qeveria edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar angazhimin e tij në pazare (marrëveshje të ndaluar) me kompanitë e tjera, për fiksimin e çmimit të miellit dhe bukës, duke vjedhur shqiptarët përmes bukës së gojës.

Platforma e pagesave “EasyPay” e biznesmenes së nderuar Linda Shomo financon kartelin mediatik të Irfan Hysenebeliut ose më saktë reklamon biznesin e saj tek media e Fanes. Biznesi i zonjës Shomo nuk është përballur me ndonjë qasje armiqësore nga Tatimet apo nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, që kontrollohen nga ‘armiqtë’ e Fanes.
Kompania e filtrave të ujit Albuji vijon të reklamojë veprimtarinë e saj tek televizioni i Fanes, ndryshe nga disa biznese të tjera që vijojnë pagesat përmes sistemit bankar, por kanë kërkuar që të mos ekspozohen me reklama pasi mund të binin në sy për keq tek qeveria.
Edhe pse është e ndaluar rreptësisht me ligj reklamimi i cigareve elektronike, IQOS vijon të shfaqet në mediat e Fanes duke sfiduar Institutin e Shëndetit Publik. IQOS është krijuar nga Philip Morris International (PMI), ku si degë bijë në Shqipëri ka Philip Morris Albania, me drejtor një personazh të quajtur Lorent Gordi, i cili çuditërisht ende nuk është arrestuar për mashtrim masiv kriminal me pasoja të pallogaritshme.

Lorent Gordi ka deklaruar se “Këto alternativa ulin me mesatarisht 95% nivelin e kimikateve të dëmshme krahasuar me ato që gjenden në tymin e cigareve dhe kjo sjell përmirësim në jetën e duhanpirësit dhe rrjedhimisht sjell një përmirësim për të gjithë shëndetin publik”. Pohimet të tilla kriminale janë të papranueshme edhe nga vetë Philip Morris International, kompani e cila ka financuar studime për produktin, të cilat kanë dalë në përfundimin se IQOS dëmton mushkëritë po aq sa cigarja me djegie.
Komisioni Amerikan i Tregtisë Ndërkombëtare vendosur prej tre vitesh që Philip Morris International duhet të ndalojë shitjen dhe importimin e pajisjes së duhanit IQOS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në Shqipëri reklamohet. Në një dalje të fundit te TV-ja e Fanes, mashtruesi Gordi tha se po punon fort për t’a bërë Shqipërinë një vend pa cigare.
Kompania e mikrokredive NOA e Astrit Hanës shfaqet gjithashtu në median e Fanes pa u trembur nga qeveria për ndonjë kontroll tentencioz. Pago, derivat i koampanisë së emetimit të parasë elektoronike Rubicon sha, Lavazza, Agalliu, Fortex, kompania fiskalizimit Dev.al etj., kanë preferuar bashkëpunimin e hapur me mediat e Fanes, tregues ky se liria e medias në Shqipëri nuk është aq e rrezikuar sa pretendohet nëpër deklarata.
Gjithsesi, më interesante është lista me biznesmenët që financojnë Fanen fshehurazi, përmes sistemit bankar, por pa reklamuar asgjë! Edhe më interesant është lista me drejtorët e Edi Ramës, të cilët ngushëllonin fshehurazi Fanen gjatë rrethimit të dytë, pas shembjes së hotelit pa leje.
Ndërkaq, i biri i Fanes vijon si ‘Liza në botën e çudirave’, ku pas pushimeve luksoze në Saedenja, është zhvendosur në Mykonos për të mbyllur pushimet e gjata verore.