Me nisjen e legjislaturës së re, disa prej figurave të përjashtuara dikur nga Lulzim Basha pritet të rikthehen në Kuvend, tashmë nën drejtimin e Sali Berishës.
Në vitin 2017, Basha i largoi nga grupi parlamentar emra të njohur si Jozefina Topalli, Gent Strazimiri dhe Igli Cara. Të tre janë rikthyer këtë herë në listat fituese të Berishës.
Në radhët e demokratëve kthehen gjithashtu edhe Klevis Balliu, Bardh Spahia dhe Ledina Alolli, të cilët kishin qenë pjesë e PD-së, por nuk u rikandiduan nga Basha në zgjedhjet e vitit 2021.
Megjithatë, përbërja e re ka ngjallur pakënaqësi të theksuara brenda partisë. Grupi parlamentar i PD-së është zvogëluar, pasi Berisha i dha hapësirë edhe aleatëve politikë, duke lënë jashtë listave disa prej figurave tradicionale të partisë.
Burime nga brenda PD-së pohojnë se pakënaqësitë e të përjashtuarve janë rritur, ndërsa ngelet për t’u parë nëse këto tensione do të shpërthejnë në forumet drejtuese të partisë apo do të mbeten vetëm reagime sporadike në rrjetet sociale. / TemA