Rritja e përdorimit të ChatGPT dhe rivalëve të tij po rrezikon ekuilibrin ekonomik mbi të cilin u ndërtua interneti
The Economist
Në fillim të vitit të kaluar, Matthew Prince nisi të merrte telefonata shqetësuese nga drejtues të kompanive të mëdha mediatike. Ata i thanë se po përballeshin me një kërcënim të ri serioz në internet.
“I pyeta, ‘Mos janë koreanoveriorët?’”, kujton ai. “Dhe ata thanë, ‘Jo. Është Inteligjenca Artificiale’”.
Ata drejtues kishin vënë re shenjat e para të një tendence që tashmë është e qartë: Inteligjenca Artificiale (IA) po ndryshon mënyrën se si njerëzit lundrojnë në internet.
Ndërsa përdoruesit po u drejtohen chatbot-ëve në vend të motorëve të zakonshëm të kërkimit, ata marrin përgjigje direkte, jo lista me adresa interneti për të klikuar.
Si rezultat, publikuesit e përmbajtjeve, nga mediat informative e deri te forumet dhe enciklopeditë si Wikipedia, po përballen me rënie alarmante të trafikut.
Ndërsa IA ndryshon mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion, ajo po përmbys marrëveshjen ekonomike që qëndron në zemër të internetit. Trafiku njerëzor, prej kohësh, gjeneronte të ardhura nëpërmjet reklamave online; tani, ai trafik po shteron.
Ndërsa IA ndryshon mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion, ajo po përmbys marrëveshjen ekonomike që qëndron në zemër të internetit. Trafiku njerëzor, prej kohësh, gjeneronte të ardhura nëpërmjet reklamave online; tani, ai trafik po shteron.
Prodhuesit e përmbajtjeve po përpiqen me urgjencë të gjejnë mënyra për t’i detyruar kompanitë e IA, që të paguajnë për informacionin që përdorin.
Nëse nuk ia dalin, interneti mund të shndërrohet në diçka krejt tjetër.
Që nga dalja e ChatGPT në fund të vitit 2022, njerëzit kanë përqafuar një mënyrë të re për të kërkuar informacion online. OpenAI, kompania që e zhvilloi chatbot-in, thotë se rreth 800 milionë njerëz e përdorin atë.
ChatGPT është aplikacioni më i shkarkuar në AppStore të iPhone. Apple deklaroi se në prill, për herë të parë, kërkimet tradicionale në Safari ranë, pasi përdoruesit po i drejtoheshin IA-së. OpenAI pritet të prezantojë së shpejti edhe një motor kërkimi të vetin.
Ndërsa OpenAI dhe kompani të tjera po rriten me shpejtësi, Google, që ka rreth 90% të tregut të kërkimit në SHBA, ka shtuar veçori IA në motorin e vet të kërkimit, për të ruajtur pozitat.
Vitin e kaluar nisi të paraqesë “përmbledhje të gjeneruara nga IA” para disa rezultateve kërkimi, të cilat tani janë bërë të zakonshme.
Në maj nisi “modalitetin IA”, një version të motorit të kërkimit që funksionon si chatbot.
Kompania tani premton se, me IA, “Google kërkon për ty”.
Përdoruesit nuk vizitojnë më faqet nga ku përftohet informacioni
Por ndërsa Google “kërkon për ty”, përdoruesit nuk vizitojnë më faqet nga ku përftohet informacioni. Similarweb, një kompani që mat trafikun e më shumë se 100 milionë faqeve, vlerëson se trafiku global nga njerëzit në motorët e kërkimit ka rënë me rreth 15% nga qershori i vitit të kaluar.
Disa kategori, si portalet e argëtimit kanë ecuri janë më mirë. Por shumë të tjera janë goditur fort, pikërisht ato që dikur u përgjigjeshin pyetjeve të zakonshme të kërkimit.
Faqet shkencore e arsimore kanë humbur 10% të trafikut, faqet enciklopedike 15%, faqet për shëndetësinë, 31%.
Për kompanitë që mbështeten te reklamat apo abonimet, humbja e vizitorëve do të thotë humbje të ardhurash. “Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Google për një kohë të gjatë…
Por ata e prishën marrëveshjen” thotë Neil Vogel, drejtues i Dotdash Meredith, që zotëron revista si “People” dhe “Food & Wine”. Tre vite më parë, mbi 60% e trafikut të tyre vinte nga Google.
Tani kjo shifër ka rënë në 30 e ca për qind. “Ata po vjedhin përmbajtjen tonë për të konkurruar me ne”, thotë ai. Google këmbëngul se përdorimi që i bën përmbajtjeve të të tjerëve është i drejtë.
Por që nga prezantimi i përmbledhjeve me IA, përqindja e kërkimeve të lidhura me lajmet që nuk çojnë në asnjë klikim të mëtejshëm është rritur nga 56% në 69%, sipas Similarweb.