Vrasja e Egli Progës, shtyhen me tre muaj hetimet

Kronike

Publikuar: 16/08/2025

Vrasja e Egli Progës, shtyhen me tre muaj hetimet

Prokuroria e Korçës ka vendosur të shtyjë me tre muaj afatet e hetimeve për ngjarjen ku humbi jetën Egli Proga, duke i zgjatur deri më 11 nëntor 2025.

Sipas të dhënave, kërkesa drejtuar gjykatës është bërë më 11 gusht, një ditë pas përfundimit të afatit 1-vjeçar të hetimeve.

Sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, organi i akuzës ka dërguar në Itali për ekspertizë DVR-në e lokalit “Strobska”, me shpresën për të rikthyer pamjet e fshira që mund të ndihmojnë në zbardhjen e asaj që ndodhi brenda lokalit.

Në të njëjtën kohë, janë dërguar për analizë edhe kamerat e një marketi pranë.

Denis Meçe, autori i dyshuar i ngjarjes, ka pretenduar se brenda lokalit është goditur edhe nga Leonidha Guçe, pronari i lokalit, i cili e mohon një gjë të tillë.

Ndërkohë, dëshmitari okular Andi Shkulaku ka dhënë dëshmi kontradiktore, duke mbështetur herë versionin e autorit të dyshuar dhe herë atë të pronarit të lokalit.

Nëse pamjet e fshira nuk rikthehen deri më 11 nëntor, ekziston mundësia që Denis Meçe të fitojë lirinë, me ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë.

Vrasja e Egli Progës, një vit më parë, shkaktoi debate të forta dhe përplasje mes policisë dhe prokurorisë mbi veprën penale për të cilën akuzohet autori i dyshuar. Edhe motra e viktimës ka ngritur akuza të forta për mënyrën si janë zhvilluar hetimet mbi këtë çështje.