Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e së enjtes fshatin Pirg të Maliqit, ku një konflikt mes dy adoleshentëve ka përfunduar në vrasje. Viktimë ka mbetur 14-vjeçari Erald Xhejo, i cili u godit për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, Enedio Guri gjithashtu 14 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dy të miturit janë takuar rastësisht në ambientet e një lokali në fshat, ku ishin të shoqëruar nga disa shokë të tyre. Konflikti verbal që nisi me fraza të tipit “pse më shikon?” ka degjeneruar në dhunë fizike, duke çuar në përdorimin e një thike që autori mbante me vete.

Viktima dhe autori
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti mes dy adoleshentëve ka nisur që një vit më parë dhe nuk ishte zgjidhur. Policia ka arrestuar shokët që ndodheshin në vendngjarje për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Autori i dyshuar është ndaluar dhe ndaj tij po zhvillohen hetime për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Arrestohen 8 persona
Policia e Maliqit ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë ku 14-vjeçari Erald Xhejo u godit me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri.
Përpos të miturit, blutë e qytetit juglindor kanë arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, mes tyre të atin e adoleshentit dhe xhaxhain e tij. Dyshohet se këta të fundit kanë fshehur thikën me të cilën i mituri qëlloi dy herë 14-vjeçarin.
Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe 4 të miturit të cilët ishin të pranishëm gjatë konfliktin dhe një 34-vjeçar pasi ka tentuar që të largojë me automjet autorin e vrasjes së Erald Xhajos. Autoritetet bëjnë me dije se kanë sekuestruar edhe mjetin prerës (thikë) me të cilën u krye krimi, automjeti me të cilin tentoi të largohej autori dhe shoku i tij, si dhe 5 celularë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.
Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:
-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;
-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
-një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.