Flakët që kanë përfshirë Shqipërinë kanë bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Prestigjozja Associated Press, në një raport të fundit ka përmendur edhe Shqipërinë si një ndër vendet që është prekur nga vala e të nxehtit dhe flakët vdekjeprurëse.
“Një 80-vjeçar humbi jetën në një zjarr në jug të Tiranës,” shkruan AP, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë evakuuar banorët e katër fshatrave në qendër të vendit, pranë një depoje të vjetër armësh.
Associated Press gjithashtu ka raportuar se në qarkun jugor të Korçës janë dëgjuar shpërthime të forta, të shkaktuara nga predha të Luftës së Dytë Botërore të varrosura nëntokë. Sipas AP, Shqipëria po ndihmohet nga vendet fqinje për të përballuar situatën e rënduar me flakët.
“Athina dërgoi ndihmë për Shqipërinë si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të luftuar dhjetëra zjarre,” shkruan agjencia amerikane.
Zjarret kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi në Shqipëri ndërsa autoritetet raportojnë dëme të konsiderueshme edhe në pyje dhe sipërfaqe bujqësore.
Situata paraqitet e vështirë për shkak të temperaturave ekstreme dhe mungesës së reshjeve, ndërsa ekipet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë.