Një takim ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump pritet të zhvillohet “në ditët në vijim”, me “propozim të palës amerikane”. Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, i cituar nga agjencia Interfax.
“Me propozim të palës amerikane, është rënë në parim dakord për një takim bilateral të nivelit të lartë në ditët në vijim, pra për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump”, deklaroi Ushakov. “Tani, së bashku me kolegët amerikanë, kemi nisur përgatitjet konkrete”, shtoi ai.
Vendi ku do të zhvillohet takimi mes Vladimir Putin dhe Donald Trump është rënë dakord “në parim”, dhe Kremlini do ta bëjë publik më vonë, tha më tej Ushakov, duke sqaruar se “aktualisht, së bashku me kolegët tanë amerikanë, kemi nisur të përcaktojmë parametrat specifikë të këtij takimi”.