Pavarësisht një rënieje të lehtë të temperaturave pas valës së të nxehtit afrikan, korriku i këtij viti u rendit si muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, sipas të dhënave të publikuara nga Observatori Evropian i Kopernikut.
“Seria e rekordeve globale të temperaturës ka përfunduar për momentin. Por kjo nuk do të thotë se ndryshimet klimatike janë ndalur,” tha Carlo Buontempo, Drejtor i Shërbimit për Ndryshimet Klimatike në kuadër të programit Copernicus (C3S).
Sipas të dhënave, korriku 2025 ishte mesatarisht 1.25°C më i ngrohtë se mesatarja e muajit në epokën para-industriale (1850–1900), shumë afër kufirit të 1.5°C të vendosur nga Marrëveshja e Parisit një objektiv që është tejkaluar pothuajse çdo muaj në dy vitet e fundit.
Rritja e temperaturave, ndonëse në dukje e vogël, ka pasoja të rënda. Shkencëtarët paralajmërojnë se kjo mjafton për të nxitur fenomene ekstreme si stuhi të forta, thatësira të gjata, valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre masive.
Gjatë muajit korrik:
Temperaturat tejkaluan 50°C jo vetëm në Gjirin Persik dhe Irak, por për herë të parë edhe në Turqi.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan qindra viktima në Kinë dhe Pakistan.
Zjarret dogjën mijëra hektarë pyje në Kanada.
Në Spanjë, mbi një mijë vdekje iu atribuuan nxehtësisë, sipas një instituti publik, me një rritje prej 50% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Të dhënat e Kopernikut rikujtojnë se ndonëse valët e të nxehtit mund të jenë të përkohshme, kriza klimatike është në vazhdim dhe kërkon veprime urgjente globale