Një kompani e themeluar në tetor të vitit 2021, me kapital 100 milijë lekë, pa punonjës dhe me veprimtari vetëm në letra, befas ka nisur të qarkullojë miliona euro, duke i investuar në pasuri të paluajtshme nga Tirana në Dhërmi. Pas kompanisë Kriol.Al qëndron shtetasi Kristian Koni, një emër i padëgjuar në fushën e biznesit, pra pa historik biznesi, por transaksionet dhe pasuritë e lidhura me emrin e tij ngrenë dyshime të forta.


Në dokumentet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ent publik që është kthyer në ombrellë e pastrimit të parave dhe e fshehjes së fitimeve të parave që përvetësohen me tendera korruptivë, Kristin Koni nuk ka deklaruar as gjeneralitetet e plota (data dhe viti i lindjes), detaji që shton më tej dyshimet për një histori pastrimi parash.

Në vitin 2023, Koni ka hapur një tjetër biznes për dhënien e apartamenteve me qira dhe marketing, me zyra pranë Fakultetit Juridik, aktivitet i cili dyshohet se është përdorur për të kamufluar një celulë të mashtrimit me call centera. Nga verifikimi i librave të shitjes dhe blerjes, edhe ky aktivitet rezulton fiktiv.
Ndërkaq, nga një verifikim sipërfaqësor në regjistrat hipotekor, gjatë pesë viteve të fundit, në emrin e Kristian Konit rezultojnë pasuri me vlerë miliona euro, në dy zonat më të lakmuara të Shqipërisë; Palasë dhe në ndërtesat shumë pranë Parkut të Liqenit Artificial. Bëhet fjalë për vila, apartamente, dyqane dhe garazhe.
Dyshimet për një aktivitet të mundshëm kriminal shtohen kur nga verifikimi në regjistrin e gjendjes civile, njerëzit e afërm të Kristian Konit, rezultojnë me mbiemër tjetër, pra jo ”Koni’. Ky detaji i rëndësishëm krijon dyshime se ‘Kristina Koni’ nuk është emri i vërtetë i këtij personazhi. Nuk është më sekret që me emra të dytë dhe të tretë, madje edhe të katërt dhe të pestë, operojnë kryesisht njerëzit e botës së krimit, për të fshehur identitetin me të cilin kanë kryer aktivitetin kriminal dhe për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë.
Një burim pranë organeve ligjzbatuese shqiptare konfirmoi se personazhi me emrin Kristian Koni ka qenë në periudha të caktuara objekt përgjimi. Një kërkesë nëse Koni ka qenë apo nëse është subjekt hetimi pasuror apo nëse nga atoritetet ligjbatuese partnere ka ardhur ndonjë dosje për aktivitetin e tij, deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Të gjitha këto elemente krijojnë dyshime të forta për një histori klasike të pastrimit të parave, produkt i aktivitetit kriminal, ku në përgjithësi dominon trafiku i drogës. Po kush qëndron pas identitetit të rremë Kristian Koni dhe nga burojë paratë që pastrohen? Përgjigjen ndoshta do t’a mësojmë nga operacionet e radhës të SPAK-ut!