Policia e Tiranës ka identifikuar autorin, i cili më 24 korrik 2025, vendosi një sasi lënde plasëse në portën e garazhit të biznesmenit Elvis Kosova.
Pas hetimeve të thelluara të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Klodian Steli 36 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Prapaskena ka siguruar foton e Klodian Stelit, i cili pas aktit kriminal ndaj pasurisë së Vis Kosovës është larguar nga Shqipëria.

Ka dyshime që Steli mund të jetë ushtar i një grupi kriminal. Policia ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes kriminale falë pamjeve të kamerave të sigurisë të zonës. Grupi hetimor ka ndjekur të gjithë lëvizjen e autorit pas kryerjes së krimit, duke arritur të rindërtojë itinerarin e tij.
Pasi ka vendosur tritolin, autori është përpjekur të humbasë gjurmët duke u futur në pyllin pranë Liqenit të Thatë, ku ka qëndruar për rreth 30 minuta. Më pas, ka dalë në një rrugicë tjetër dhe është larguar nga vendngjarja. Lëvizjet e mëtejshme të tij janë gjurmuar sërish përmes kamerave të sigurisë, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin e automjetit të përdorur.
Pas verifikimeve, policia ka zbuluar se automjeti ishte marrë me qira në zonën e Fushë-Krujës, gjë që ka çuar në identifikimin e autorit. Hetimet kanë treguar gjithashtu se i dyshuari është larguar nga territori i Shqipërisë në ditën e ngjarjes.