Policia jep detaje nga arrestimi i Flodian Plakut: Kishte armë zjarri me fishek në fole! Gjatë ndërhyrjes u kap edhe Julian Aliaj

Kronike

Publikuar: 04/08/2025

Policia jep detaje nga arrestimi i Flodian Plakut: Kishte armë zjarri me fishek në fole! Gjatë ndërhyrjes u kap edhe Julian Aliaj

Flodian Plaku, alias Florian Serjani alias Florian Mamo, është arrestuar nga Forcat Speciale të Policisë së Shtetit, pasditen e së dielës në zonën e Orikumit. Kupola drejtuese e Policisë së Vlorës ka dalë këtë të hënë në një konferencë për shtyp, për të sqaruar rrethanat e arrestimit.

Kryepolici i qarkut, Elidon Çela e ka konsideruar operacionin si shumë të rrezikshëm, pasi në momentin e mësymjes në hotelin ku qëndronte Flodian Plaku, në dhomë janë gjetur dy armë zjarri pistoleta me plumba në fole, gati për të kryer qitje.

Sipas Çelës, ky shtetas konsiderohej nga uniformat blu si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

Në dhomën ku qëndronte prej kohësh ky shtetas, në një hotel privat, drejtori Elidon Çela zbuloi se u gjetën dy pistoleta me plumba në fole gati për qitje, 17 fishek, 25 mijë euro cash dhe 7 telefona celular. Sipas kryepolicit, do të hetohet origjina e parave.

Shtetasi Flodian Plaku është autor i dyshuar i vrasjes së ish-policit Gentian Bejtja në Fushë Krujë, vitin e kaluar.

Gjithashtu, me të është arrestuar nga Forcat Speciale edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj. Ky person është një nga anëtarët e bandës së drejtuar nga vlonjati i arrestuar dje. Nuk dihet nëse ai ka gisht në vrasjen e Bejtjas apo është arrestuar vetëm për ndihmën që i ka dhënë Flodian Plakut të qëndronte në arrati.