Më shumë se 60 migrantë humbin jetën pranë brigjeve të Jemenit pas përmbysjes së varkës me të cilën po udhëtonin

Botë

Publikuar: 04/08/2025

Më shumë se 60 migrantë humbin jetën pranë brigjeve të Jemenit pas përmbysjes së varkës me të cilën po udhëtonin

Më shumë se 60 migrantë humbën jetën kur një varkë me rreth 150 persona u mbyt të dielën, pranë brigjeve të Jemenit, për shkak të motit të keq.

Mjeti u përmbys pranë provincës jugore Abyan të Jemenit dhe deri më tani janë rikuperuar 68 trupa, bëri të ditur për BBC-në drejtori i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Jemen. Ai shtoi se 12 persona janë shpëtuar, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas IOM-it, shumica e viktimave besohet të jenë shtetas etiopianë, ndërsa organizata e quajti këtë ngjarje “zemërthyese”.

Jemeni mbetet një nga rrugët kryesore për migrantët nga Briri i Afrikës që udhëtojnë drejt shteteve të Gjirit Persik në kërkim të punës. IOM vlerëson se qindra persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në mbytje anijesh gjatë muajve të fundit. Shefi i IOM-it në Jemen, Abdusattor Esoev, tha se varka po transportonte rreth 157 migrantë në një rrugë të rrezikshme përgjatë një zone të gjerë bregdetare, shpesh të shfrytëzuar nga kontrabandistët e njerëzve. Jemeni është një vend tranzit i përdorur nga shumë migrantë të dëshpëruar që kërkojnë të arrijnë në Arabinë Saudite për mundësi më të mira.

Sipas Associated Press, trupat e 54 migrantëve u gjetën në bregun e distriktit jugor Khanfar, ndërsa 14 të tjerë u dërguan në morgun e spitalit në kryeqytetin provincial të Abyanit, Zinjibar.

Drejtoria e Sigurisë së Abyanit njoftoi për një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi dhe bëri të ditur se trupat e pajetë janë gjetur në një zonë të madhe bregdetare.

Një zëdhënës i IOM-it tha se agjencia ishte “thellësisht e tronditur” nga “humbja tragjike e jetëve njerëzore”.

“Kjo ngjarje zemërthyese thekson nevojën urgjente për mekanizma më të fortë mbrojtjeje për migrantët që ndërmarrin udhëtime të rrezikshme, të cilat shpesh organizohen nga kontrabandistë pa skrupuj, që shfrytëzojnë dëshpërimin dhe cenueshmërinë e tyre,” u shpreh ai.

Edhe zoti Esoev nënvizoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ligjore për migrantët, për t’i mbrojtur ata nga shfrytëzimi nga kontrabandistët.

“Ajo që ne po u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare është të përmirësojnë rrugët e rregullta të migrimit, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të udhëtojnë ligjërisht, në vend që të bien pre e kontrabandistëve dhe të marrin përsipër këto udhëtime të rrezikshme,” tha ai.

IOM e ka përshkruar më herët udhëtimin nga Briri i Afrikës drejt Jemenit si “një nga rrugët më të ngarkuara dhe më të rrezikshme të migrimit të përzier”.

Në mars, dy varka me më shumë se 180 migrantë u mbytën pranë bregdetit të distriktit Dhubab në Jemen, për shkak të detit të trazuar. Vetëm dy anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, ndërsa të gjithë pasagjerët e tjerë rezultuan të zhdukur dhe u dyshua se kishin vdekur.

Raportet nga Pikat e Reagimit për Migrantët në Jemen tregojnë gjithashtu se kontrabandistët e njerëzve po bëhen gjithnjë e më të pamëshirshëm, duke dërguar qëllimisht varkat në kushte të rrezikshme për të shmangur patrullat, sipas një raporti të IOM-it.

Megjithë rreziqet, shumë migrantë vazhdojnë ta ndërmarrin këtë udhëtim. Vetëm në vitin 2024, mbi 60.000 migrantë kanë mbërritur në Jemen.

Në dekadën e fundit, Projekti i Migrantëve të Zhdukur i IOM-it ka regjistruar më shumë se 3.400 të vdekur ose të zhdukur përgjatë kësaj rruge – prej të cilëve 1.400 kanë humbur jetën duke u mbytur./ BBC