Pas humbjes së parashikuar në zgjedhjet e 11 majit, përfaqësuesit e të ashtuquajtërës opozitë i kanë kthyer sytë dhe xhepat sërish nga oligarkët dhe qeveria. Familja Berisha ka qarkuar katër zona për të ndërtuar kulla dhe resorte. Shkëlzeni i ka vënë syrin Parkut të Liqenit në Tiranë dhe kodrës së Ksamilit, ndërsa dhëndri Malltezi ka shënjestruar Drilonin dhe Liqenin e Farkës.
Dorjan Teliti është fokusur për të kapur ndonjë gjë nga lufta për tenderat e AKSHI-t, duke mbështetur një hajdut me damkë. Të tjerë presin Ramën kur të ndajë postet në shtator, me shpresë për të ndryshuar ngjyrë dhe kapur ndonjë pozicion. Belind Këlliçi, i njohur si Belo Ezmeri, pret pagesën e radhës nga ‘Tuneli i Llogarasë’, ku sipas xhepit dhe pazareve, një ditë shan SPAK-un, ditën tjetër e lavdëron, duke detyruar Berishën t’i tërheqë veshin përmes Çim Pekës.
Një ditë më parë, Belo Ezmeri, nën hetim nga SPAK, sulmoi prokurorin e SPAK-ut, Dritan Prençi, i cili sipas Belos nuk po heton siç duhet aferën e inceneratorëve, kauzë me të cilën PD-ja ka humbur tre palë zgjedhje (2021, 2023 dhe 2025).
“Pyetja që i drejtoj për të disatën herë Prokurorit të kësaj dosje, Dritan Prençi është: Përse nuk hetohet roli i dy pronarëve faktikë të Inceneratorit të Tiranës, përkatësisht Edi Ramës dhe Erion Veliajt, në këtë aferë korruptive. Nëse prokurori Dritan Prençi, nuk është ‘qartësuar’ deri tani nga provat e depozituara në SPAK nga ana ime, atëherë sot ka detyrimin ligjor të administrojë provat e reja…“.
Shumëkush mund t’a ketë lexuar deklaratën e Belos si një autokritikë para Familjes Berisha pas sulmit që i bëri Çim Peka pasi Belo lavdëroi SPAK-un. Disa foto që ka parë Prapaskena konfirmojnë se Belo doli dhe sulmoi Dritan Prençin për llogari të ‘Tunelit të Llogarasë’, që po hetohet nga prokurori Prençi.
Një nga përfituesit e aferës me Tunelin e Llogarasë është Rrok Gjoka. Përpos një derdimeni mediatik dhe Familjes Berisha, Gjoka dyshohet se paguan me paratë e vjedhura publike edhe Belo Ezmerin, i cili paraqitet shpesh në ‘sofrën’ e kompanisë.
Dritan Prençi, në kuadër të dosjes së ish kreut të ARRSH Evis Berberi, ka shtrirë hetimet tek kompanitë e kontraktuara për mbikqyrjen e punimeve për Tunelin e Llogarasë, ku me sa duket ka rënë në gjurmët e aferës, për të cilën ka edhe një tjetër hetim nga SPAK. Fillimisht, grupi i ‘Tunelit të Llogarasë’ i ndërseu Dritan Prençit një derdimen mediatik.
Në kushtet kur prokurori Prençi nuk po jep asnjë sinjal tërheqje nga veprimet hetimore dhe ndjekja e gjurmëve të parave, grupi i ‘Tunelit të Llogarasë’ ka hedhur në sulm Belo Ezmerin, i cili duhet të justifikojë pagesat. Në këto rrethana, Belo, edhe pse përdor foltoren e të ashtuquajturës opozitë, qoftë kur shpreh besim tek SPAK-u, qoftë kur sulmon ndonjë prokuror, duhet mirëkuptuar pasi e bën për hallin e tij, hall i lidhur me Tunelin e Llogarasë.
Dy hetime
Dy hetime janë hapur për tunelin e Llogarasë, projekt me të cilin dyshohet se janë përvetësuar 50 milionë euro. Prokurori i SPAK-ut Dritan Prençi po heton procedurën e kontraktimit të kompanive për mbikqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë. Kompania Net Group, e ortakut të Berberit, Valter Begaj, në të cilën Berberi ka qenë ortak më parë, fitoi me një ofertë rreth 2 milionë euro garën për mbikëqyrjen, si bashkim operatorësh me kompaninë tjetër Hill International NV, me seli në adresën De Cuserstraat 91,108 CN, Amsterdam, Holandë.
Hetimi i dytë është hapur për tenderin e tunelit të Llogarasë, nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash, manipulim të procedurave etj., pas një kallëzimi të Partisë Demokratike. Kallëzimi mori shkas nga një denoncim i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, sipas të cilit tenderi për Rrok Gjokën u anulua pas takimeve në Ankara, duke ia dhënë një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë. Kompania turke më pas kontraktoi kompaninë e Rrok Gjokës për të realizuar punime me vlerën që Gjoka kishte fituar tenderin fillimisht, pra 50 milionë euro më pak. Prokuror i dosjes së dytë është edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.
Të dy hetimet, përpos personave të mundshëm politikë, të çojnë tek një personazh kyç, i cili është oligarku Rrok Gjoka, përfituesi më i madh i parave publike pas Bashkim Ulajt. Rrok Gjoka është çelësi i zbërthimit të aferës së dyshuar. Rrok Gjoka ishte fituesi i tenderit, ku më pas pranoi anulimin e tenderit nga autoriteti kontraktor, për t’ia dhënë kompanisë turke me 50 milionë euro më shumë, e cila më pas kontraktoi sërish Gjokën për zbatimin e punimeve. Gjithçka duket se është e koordinuar. Rrok Gjoka vizatohet si maska e kësaj afere korruptive.
Nuk ka dyshim që llokmën e madhe e kanë marrë të tjerët, ndërsa Gjoka është përdorur si mbulesë. Por, lufta po bëhet për të mos shkuar tek Rroku, pasi nëse fija e tëhequr nxjerrë Rrokun, pas tij janë të tjerët, ‘ustallarët’, të cilët i tremben ndëshkimit penal.
Ndaj shkopinjtë mediatikë dhe politikë po bien mbi prokurorin Dritan Prençi që të dëgjojë edhe Altin Dumani. A do t’a dëgjojë Dumani hallin e tyre? Përgjigja ndoshta do të duket nga shtatori.