Irani reagon për akuzat e Trump për ndërhyrje në negociatat Izrael–Hamas

Botë

Publikuar: 29/07/2025

Irani reagon për akuzat e Trump për ndërhyrje në negociatat Izrael–Hamas

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghai, hodhi poshtë akuzat që presidenti amerikan Donald Trump pretendoi të hënën, sipas të cilave Irani po ndërhynte në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gaza.

Baghai i quajti këto pretendime si “plotësisht të pabaza” dhe theksoi se Hamasi po mbështet interesat e popullit të shtypur të Gazës pa nevojën e ndërhyrjes iraniane.

Ditën e djeshme përmes një deklarate, Trump akuzoi Teheranin se është përfshirë në negociatat për armëpushim, duke dërguar “udhëzime dhe mesazhe të këqija” për Hamasin, si pjesë e aksionit të grupit “boshti i rezistencës” të mbështetur nga Irani, që përfshin edhe Hezbollahun dhe Huthit e Jemenit.

Irani reagoi duke mohuar çdo rol aktiv në negociata, duke nënvizuar se Hamasi është autonom dhe nuk përfaqësohet nga një palë të tretë.

Akuzat e Trump vijnë në një moment tensioni të shtuar, për shkak të negociatave jo të suksesshme për një armëpushim të zgjeruar dhe shkëmbim të pengjeve.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga negociatat me Hamasin, ndërsa kanë theksuar se përpjekjet diplomatike nuk kanë sjellë rezultate.

Irani nga ana e tij ka mohuar gjithashtu pretendimet se ka kërkuar rifillimin e negociatave bërthamore me SHBA-në—një çështje që Trump e kishte shpërfaqur si një hap diplomatik të mundshëm, por që agjencia përkatëse iraniane e përshkroi si një shpikje të mediave.