Një sekuencë video më pak se një minutë, tronditi opinionin publik dy ditë më parë. E prerë nga një kamerë e brendshme lokali u pa qartë: dy mesoburra me ecjen karakteristike të banditëve të kohëve që po jetojmë, i afrohen një kamarieri adoleshent. I pari e shtyn me dorë me një lloj qortimi sikur po i thoshte “ore mistrec ki kujdes kur flet me ne” dhe mënjanohet, ndërsa tjetri i afrohet dhe e godet tre herë rresht me dorën e majtë në formë të dhunshme, shpulle, grusht. Insistimi i tre goditjeve ishte irritues deri në revoltë të papërmbajtshme teksa shihej në ekran telefoni, TV-je, kudo nëpër Shqipëri dhe jashtë saj.
Po sikur të ishte fëmija, vëllai, nipi ynë? Në atë çast kur u panë dhe u ripanë sekuencat memece të tre goditjeve ofenduese, dhunuese, përçmuese ndaj adoleshentit, një konsensus kombëtar u derdh në rrjetet sociale: Në hell të futen banditët që rrahën kamarierin që u shërbeu një ujë më tepër. Dhe në fakt ata në hell shkuan, si në kuptimin anglisht dhe atë shqip.
Njëri prej të dyve (ai që nuk e goditi por e qortoi me dorë), oficeri i policisë 52-vjeçari Ardian Isufi, është shtruar në spitalin e Vlorës (reanimacion), me dëmtime të rënda në trup dhe kokë, pasi u rrah rëndë 30 minuta pasi “qortoi” me duar kamarierin.
Personi që goditi kamarierin, 57-vjeçari nga Vlora, Laert Bino, pinjoll i familjes së përndjekur nga regjimi komunist, Agim Bino, u rrah gjithashtu, por nuk është në reanimacion.
Ardian Isufi dhe Laert Bino, për shkaqe që i dinë vetëm ata të dy, apo thjesht për një kafe, gjendeshin në lokalin e Regina Group, në lagjen Pavarësia në Vlorë, pronë e Vasil Bedinaj. Ky i fundit njihet për disa ngjarje ku ka qenë protagonist dhune, përveçse për pronësinë e resortit “Regina”.
Çfarë ndodhi në Hotel Regina pas dhunës që pësoi kamarieri?
Disa pamje u publikuan fillimisht. Dy ditë më vonë u publikuan pamje të tjera. Djali tregoi në një intervistë të improvizuar menjëherë pas ngjarjes se ishte dhunuar për shkakun e një shishe uji të sjellë tepër tek dy klientët. Kjo solli irritimin e tyre, fyerjet ndaj tij dhe goditjet që u panë qartë. Ato u dhanë nga Laert Bino.
Avokati Kujtim Cakrani, që është gjithashtu vlonjat, pasionant dhe mbrojtësi i ish-presidentit Ilir Meta, jep një version të zgjeruar dhe të fshehur deri sot, sipas tij, të ngjarjes. Avokati tregon se Aron Balaj u kishte folur të dy klientëve në gjuhë të papërshtatshme, dhe për këtë arsye kishte ndodhur ajo goditje, jo nga oficeri i policisë por nga Laert Bino. Më pas menaxheri kishte njoftuar babain e djalit të goditur, Ilir Balaj, i cili kishte ardhur në vendin e ngjarjes, kishte pirë kafe me dy “dhunuesit” për 30 minuta, dhe të dy këta i ishin kërkuar falje për gjestin e tyre, duke vendosur paqe.
Pas këtij çasti paqtues, në lokal mbërrijnë 8-9 persona të armatosur, me në krye pronarin Vasil Bedinaj dhe aty fillon një rrahje barbare e dy dhunuesve të adoleshentit. Veçanërisht është dhunuar oficeri Ardian Isufi, që sipas avokatit Cakrani gjendet në reanimacion duke luftuar për jetën. Avokati ka publikuar disa pamje të marra në formë amatore, ku tregohet se si afrohen personat që dhunuan “dhunuesit” në ambientet e lokalit “Regina”.
Kush tregon të vërtetën dhe kush gënjen? Çfarë fshihet dhe përse?
Opinioni publik u mbars me tre goditjet e adoleshentit Aron Balaj, aq sa në skenën online doli kryeministri Rama, i cili dënoi menjëherë oficerin e policisë; me dhjetëra analistë, influencues, gazetarë dhe opinionistë shprehën revoltën dhe vajin e tyre për fatin e një djali të pafajshëm që punonte kamarier, kur dhjetëra të tjerë si ai harliseshin nëpër plazhe.
Foli me lëvdata superiore mësuesja e adoleshentit, Valentina Veshaj, e cila tha se ai ishte nxënës i 10-tës dhe ishte mjaft i matur. Folën të gjithë përveç drejtësisë… Nga ana e dy dhunuesve të dhunuar kanë dhënë një version tjetër vëllai i oficerit të shtruar në spital, Flamur Isufi dhe avokati i tyre. Të dy kërkojnë të zbardhet e vërteta deri në fund, të dalin pamjet e plota filmike që pretendohet se janë zhdukur.
Nga dhjetëra informacione që vijnë nga Vlora, për këtë ngjarje, dy janë shumë domethënëse: familja e oficerit Ardian Isufi dhe familja e djalit Aron Balaj njiheshin më parë. “Ilir Balaj, babai i Aronit, është oficer në Portin e Vlorës, ndërsa Ardian Isufi, ka punuar disa vite si oficer i kufirit në port, para se të bëhej Shef i Qarkullimit Rrugor në këtë qytet. Mamaja e Aron Balaj, Orjeta Balaj dhe gruaja e oficerit Ardian Isufi, Vilma Isufi, kanë punuar të dyja si mësuese në të njëjtën shkollë 9 vjeçare “Ibrahim Kushta” në Himarë. Familjet njihen mirë që më parë…”
Një informacion tjetër tregon “për konflikte të mëparshme të ‘grupit të Vasil Bedinajt’ me vëllezërit Isufi, njëri oficer policie dhe tjetri pronar i linjave të autobusëve të qytetit “Urban Trans Vlora”.
Pas tre ditëve të nxehta, zjarrit të tre goditjeve po i hidhet jo ujë, por informacion.
Një “grusht” me pyetje lindin: Kush është e vërteta, ajo që pamë në sekuencat e shpërndara video, apo ka edhe një tjetër? A njihej polici me babain e djalit, po me djalin vetë? Po “rrahësi” profesionist Vasil Bedinaj çfarë roli ka në këtë thriller veror?
Nga Vlora mësojmë se Aron Balaj nuk ka shkuar në punë. Oficeri Ardian Isufi është me shpinë dhe kafkë të thyer në reanimacion, me një polic që e ruan te dera e pavijonit për të mos e takuar askush. Të gjithë duan të vërtetën. Jo vetëm komunikatën policore, që në qytetin turistik Vlorë, një herë, vite më parë e ka justifikuar dhunën verbale në kor, me fjalinë: “Albitri s’kishte motër!”