SPAK i arrestoi bashkëshortin, avokatja Elira Ndreaj që qarkullonte paratë e kokainës nga Belgjika te Deliorgji, pronari i Cinco Cavalli dhe Savoy bos droge, si u zbulua organizata që iu kap mbi 400 milionë euro kokainë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 26/07/2025

SPAK i arrestoi bashkëshortin, avokatja Elira Ndreaj që qarkullonte paratë e kokainës nga Belgjika te Deliorgji, pronari i Cinco Cavalli dhe Savoy bos droge, si u zbulua organizata që iu kap mbi 400 milionë euro kokainë

Ermir Ndreaj, i cili sipas mediave belge është një nga derivatet e Eldi Dizdarit, është një nga personat e vënë në pranga në kuadër të aksionit të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një aksion që nisi një natë më parë.

Deri më tani janë vënë në pranga katër persona, mes tyre dhe dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani si dhe Ermir Ndreaj. Rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë, ku bënte pjesë edhe Ermir Ndreaj, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro. Hetimi ka qenë kompleks dhe është kryer nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”.

Një tjetër person raportohet se është vënë në pranga në Elbasan, por emri i tij nuk është zbardhur ende. Por, ndryshe nga dy vëllezërit, Ermir Ndreaj nuk është një emër i padëgjuar, si për median shqiptare, ashtu edhe për atë ndërkombëtare.

Ndreaj jeton në Tiranë, pasi deri një natë më parë, për autoritetet shqiptare ai rezulton një biznesmen mjaft i fuqishëm pasi ka ngritur aktivitete si klub nate, restorant luksoz si dhe një klinikë estetike mjaft me emër. Ai ishte i përfolur, por nuk kishte prova dhe dosje zyrtare.

Ndreaj njihet nga rrethi i tij i bashkëpunëtorëve si “Cinco”, pseudonim që e ka përdorur për t’i vënë dhe emrin një prej bizneseve të tij, “Cinco Cavalli”, në Durrës.

Një tjetër biznes që ai ka ngritur është edhe “Savoy Garden”, një nga restorantet më elegante në Tiranë, në Kompleksin Deliorgji, që frekuentohet nga persona publikë dhe kryesisht elitarë të vendit.

Këto dhe biznese të tjera, Ermir Ndreaj i menaxhon me bashkëshorten e tij, Elira Ndreaj (Barbullushi), e prezantuar si një avokate që ka pasion për të bukurën.

Në emrin e zonjës Ndreaj figurojnë disa bizneze nga Kompleksi Deliorgji në Tiranë deri në Antwerp të Belgjikës, sipas mediave belge, produkt i parave të trafikut të kokainës. Elira Ndreaj menaxhon edhe klinikën e njohur estetike Clinique Cinq, e cila ndodhet në të njëjtën zonë ku është edhe Savay.

Qendra estetike është themeluar nga Ermir Ndreaj dhe Elira Barbullushi (Ndreaj) në vitin 2020, por më pas ka kaluar plotësisht në emrin e zonjës Ndreaj.

Të gjitha këto pasuri dhe të ardhurat që kanë prodhuar tashmë pritet të sekustrohen nga SPAK në një fazë të dytë, si produk i aktivitetit kriminal, edhe nëse do të shiten fiktivisht.

Njoftimi i SPAK-ut

SPAK godet një rrjet ndërkombëtar droge – mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:

  • A. H.
  • K. H.
  • E.N.
  • E. A.
  • P. D.
  • I. Ll.

Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.

Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.

Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:

  • Shuma monetare në total:
    • Euro: 43,470 €
    • Franga zvicerane: 5,000 CHF
  • Automjete:
    • 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.
  • Mjet lundrues:
    • 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
  • Armë zjarri:
    • 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
  • Ora të luksit:
    • 1 orë Rolex, model 126613LN
    • 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68
  • Telefona celularë:
    • 16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
  • Karta bankare dhe dokumente financiare:
    • 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
    • Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
  • Pajisje elektronike:
    • 1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
    • 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
    • 1 NVR Hikvision.
    • 2 radio komunikimi Baofeng.
  • Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:
    • Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.
    • Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.
    • Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.
  •  Etj.

Episodet të trafikut të drogës

Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Episode të sekuestrimi të kokainës

  1. Spanjë – shkurt 2020
    Sekuestruar 400 kg.
  2. Belgjikë – prill 2020
    Sekuestruar 989.1 kg.
  3. Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020
    Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.
  4. Holandë – qershor 2020
    Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://www.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-waarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen )
  5. Holandë – tetor 2020
    Sekuestruar 1484.07 kg.

Episode të sekuestrimit të hashashit

  1. Rimini, Itali – korrik 2020
    Sekuestruar 275 kg.
  2. Bari, Itali – mars 2021
    Sekuestruar 400 kg.
  3. Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020

Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.

Episode të tjera

  1. Francë – shkurt 2020
    Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.

Modus Operandi

Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.  Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

Sipas prokurorëve të çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi:

Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.

Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.

Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia.  Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.

Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:

“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë kyç në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.”