Zhvillimet në Partinë Demokratike po e ekspozojnë Ilir Alimehmeti, mjek dhe figurë qytetare që hyri në politikë me besimin te hapja dhe meritokracia, në qendër të një debati që askush në atë parti nuk po guxon ta ndërmarrë.
Pas zgjedhjeve të 11 Majit, Alimehmeti kërkoi ankimim në Kolegjin Zgjedhor për parregullsi, edhe pse partia që e kandidoi, në vend që ta mbështeste, e la vetëm dhe heshti.
Në intervistën e fundit në emisionin “Kjo Javë”, Alimehmeti shprehu hapur zhgënjimin e tij me situatën në Partinë Demokratike, duke u shprehur:
“Kam hyrë në PD në prill të 2022, dhe koncepti i hapjes dhe meritokracisë ishte vënë përpara përmes asaj lëvizje që u quajt foltore, rithemelimi. Në fund duhet të ishte një start i ri i PD. Ky fresh start nuk ndodhi.”
Ai vijoi edhe më tej ku theksoi se partia ka një problem serioz me funksionimin e brendshëm dhe me meritokracinë:
“Ne kemi një problem me meritokracinë… kur i afrohemi pjesës së zgjedhjeve, kjo ka nevojë të çiftohet me produktivitet. Kontributi është i pamohueshëm, por pa produktivitet kjo nuk të çon në garë si duhet.”
Për Alimehmetin, gjendja është alarmante:
“Sa e sëmurë është PD? Ky është problemi kryesor. Hapja që ka qenë tejet e vogël. Është si puna e oksigjenimit – nëse s’ke mjaftueshëm, e kemi të domosdoshme, jetike hapjen.”
Këto deklarata të Ilir Alihmemetit janë të parat nga një funksionar i lartë i PD-së, që artikulohen në këtë mënyrë të qartë, mirëpo ato rrezikojnë ta shndërrojmë atë në armikun e radhës brenda kampit të demokratëve.
Deri më sot deklaratat e tij kanë qenë të moderuara dhe nuk e kanë drejtuar gishtin nga problemi real në PD, mirëpo këto të fundit silurojnë lidershipin e Berishës. Sa do jetë në gjendje të mbijetojë Alihmemeti, ngelet për t’u parë, por historia e asaj partie nuk e favorizon./TemA