Abuzime me taksat dhe parkimin/ Gjykata lë në “arrest shtëpie” ish-nënkryetaren e Bashkisë Fier

Aktualitet

Publikuar: 26/07/2025

Abuzime me taksat dhe parkimin/ Gjykata lë në “arrest shtëpie” ish-nënkryetaren e Bashkisë Fier

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka rishikuar masat për katër nga të hetuarit në kuadër të operacionit “Parking”, një hetim i nisur për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Aurora Tusha.

Prokuroria e Fierit kërkoi marrjen në pyetje të katër personave nën hetim.

Mësohet se ish-nënkryetarja Adela Hysenaj dhe Vasil Çeku, ky i fundit drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, do të vijojnë të mbahen në “arrest shtëpie”.

Ndërkohë Anisa Cjapi, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier dhe Martin Dodi, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës publike dhe kanë masën “detyrim paraqitjeje”.

Gjykata ka revokuar masën “ndalim për të dalë jashtë shtetit” për Dodin, ndërkohë që Çekut i është hequr pezullimi nga detyra, por mbetet në “arrest shtëpie”.