‘Lufta’ me Lapajn për mandatin, kriset partia e Shabanit! Largohet Soko: Turp! Ikin edhe dy këshilltarë: Humbën idealet

Politikë

Publikuar: 24/07/2025

‘Lufta’ me Lapajn për mandatin, kriset partia e Shabanit! Largohet Soko: Turp! Ikin edhe dy këshilltarë: Humbën idealet

Lufta për mandatin mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit ka sjellë krisjet e para në strukturën e parisë Nisma Thurje. Endri Shabanit iu largua njeriu më i afërt dhe aktivisti prej vitesh i Partisë, Pano Soko. Duke e cilësuar përplasjen publike Lapaj-Shabni si një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që i votuan, Soko njoftoi largimin nga çdo angazhim politik në partinë Nisma Thurje.

“Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qenë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit. Ngjarje kjo që personalisht besoj se do të jetë në kufijtë e të pamundurës për t’u rikuperuar, si në aspektin politiko-elektoral, por deri diku edhe në imazh publik. Dhe ky turpërim kërkon përgjegjësi”, tha Soko.

Soko sulmoi edhe Kleana Xhuvelin që mori mandatin, duke thënë se as nuk e meritonte dhe as nuk punoi për ta marrë.

“Sot mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet dhe Nismës Thurje si pjesë e koalicionit, e mori një person që as e donte, as nuk punoi për ta marrë, as e kishte ambicie, asgjë. Një person që me dëshirën e mirë për të ndihmuar, pranoi të hynte në listë fiktive dhe të luante rolin e saj si garante, por që sot e sheh veten me mandat”, shkroi Pano.

Largimi i Panos u pasua edhe me ikjen e dy këshilltarëve bashkiakë. Rigerta Loku Tushaj ka njoftuar se do të vazhdojë angazhimin e saj si këshilltare e pavarur në Këshillin Bashkiak të Lezhës, duke shprehur indinjatën për përplasjet lidhur me mandatin e vetëm që fitoi koalicioni “Shqipëria Bëhet”.

Rigerta Loku Tushaj shkruan se për një mandat nuk u dëmtuan vetëm dy partitë e koalicionit, por u minua gjithashtu edhe rruga e forcave të reja politike.

“Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet”, shkruan ajo.

Këshilltari i Korçës, Klajdi Pllaha thotë se u bë pjesë e Nismës Thurje pasi besonte në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin, por sot këto vlera dhe ideale kanë humbur. Për këtë arsye, ai u largua me mesazhin për dy liderët Lapaj-Shabani, se një ditë edhe ata do të reflektojnë për këtë përplasje.

“Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje”, shkruan Pllaha.

Kleana Xhuveli, e katërta në listën e mbyllur të “Nisma Shqipëria Bëhet” do të jetë deputetja e koalicionit në Kuvend. KQZ rrëzoi kërkesën e Adriatik Lapajt që të ishte ai ligjvënësi, dhe refuzoi të njihte në bllok dorëheqjet nga lista e sigurt.