Tjetërsimi i 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit/ Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 3 vite burg për Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’

Kronike

Publikuar: 23/07/2025

Tjetërsimi i 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit/ Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 3 vite burg për Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe dënon me 3 vjet burg Aleksandër Lahon, dënim që zbret në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Laho, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi i Shijakut” ndodhet në kërkim prej disa vitesh.

Sipas vendimit të Apelit, Aleksandër Laho u deklarua fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.  Padia për këtë çështje, u depozitua në organin e akuzës nga Pal Seçuni, që në atë kohë ankohej për vendimet e Hipotekës së Durrësit, për tjetërsimin e pronës. 

Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe më parë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019. Ai mbeti i plagosur nga plumbat. Në atë kohë, atij iu sekuestrua telefoni, ku u gjet një video në të colën komunikonte me një zyrtar te Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.

U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.