Një denoncim dhe disa indicie tregojnë se ish-banka arabe UBA, që drejtohet nga greku Orfea Dhuci si CEO dhe agronomi Jemin Gjana si kryetar i këshillit mbikëqyrës, përdoret për pastrimin e parave në ndërtim, duke ‘rruajtur’ edhe llogaritë e klientëve si dhe përmes një skeme mashtrimi me kredi. Në këtë operacion ka rolin e saj edhe Esmeralda Gjoshe, drejtoresha që shkatërroi Alpha Bank bashkë me Dhucin nga Bularati.
Xhevdet Kopani drejton transaksionet nga Eurosig dhe Insig, që janë pjesë e të njëjtit kartel financiar me në krye Kadri Morinën, përfitues i 15 milionë euro para publike, vetëm 5 vitet e fundit, me tendera të dyshimtë, edhe pse Edi Rama është në dijeni se Morina ka financuar Sali Berishën para zgjedhjeve të 11 majit, me shpresë se do të fitonte zgjedhjet.
Kompanitë SAHHILBA dhe EKMA ALBANIA, aktivitete që drejtohen nga e njëjta dorë janë pjesë e kësaj skeme. Gazmen Neza është shkëputur nga Eurosig, për të marrë drejtimin e Euro-Alba-EA me NIPT J81503012D. Kjo kompani me bilanc të dyshimtë miliona euro, është regjistruar si fillim “aktivitet shitje pasurish të paluajtshme”. Kjo kompani është thembra e Akilit të lëvizjeve të dyshimta nga shoqëritë e sigurimit te banka.
UBA, që duhet të jetë një bankë serioze, tashmë po plas. Ajo është kthyer në një magazinë ku depozitohen pisllëqet e dy shoqërive të sigurimit, ndërsa autokreditë e dhëna për të pastruar paratë e investuara në ndërtim janë skema e fundit mashtruese që po përdoret në sistemin bankar. Dhjetëra punonjës të UBA, Eurosig dhe Insig janë detyruar të marrin kredi fiktive për të mbuluar shpëlarjen e disa milionë eurove të hedhura në ndërtim. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut!