SPAK ka dërguar për gjykim 29 persona, mes tyre drejtues dhe punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe përfaqësues të kompanive private, të akuzuar për shkelje në 9 tenderë publikë gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur për shkelje me tenderët e Universitetit Bujqësor të Tiranës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti sot (22.07.2025) kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13/1 të vitit 2022 (i ndarë nga procedimi penal nr.13 të vitit 2022), në ngarkim të 27 personave, zyrtarë të Univeristetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy personave, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë.
Hetimet proaktive janë zhvilluar me metoda speciale, të cilat përfshijnë përgjimin e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT, vëzhgime dhe administrimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.
Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.