Malësori rrufjan Kadri Morinaj 15 milionë euro tendera, bamirësi me paratë publike, si e ka korruptuar AMF dhe ortakëria me politikanë. A do t’a hetojë SPAK-u lavatriçen e pastrimit të parave UBA Bank?

Investigim

Publikuar: 18/07/2025

Malësori rrufjan Kadri Morinaj 15 milionë euro tendera, bamirësi me paratë publike, si e ka korruptuar AMF dhe ortakëria me politikanë. A do t’a hetojë SPAK-u lavatriçen e pastrimit të parave UBA Bank?

Në harkun kohor të pesë viteve të fundit, referuar rreth 1 mijë transaksioneve bankare, 8 milionë euro kanë kaluar nga buxheti i shtetit në llogaritë e kompanisë së sigurimeve Eurosig sha, me pronar kryesor përfitues biznesmenin Kadri Morinaj. Ish kapterri është investuar për të krijuar imazhin e bamirësit, biznesmenit të ndershëm, humanistit dhe malësorit, por faktet dhe rrethanat që do paraqesim në këtë artikull e vizatojnë ‘malësorin’ si një rrufjan të parave publike, matrapaz nëpër mejhanet e Tiranës, ortak me politikanë të korruptuar dhe dudum pastrimi parash.

Tenderat ‘big’ dhe me natyrë korruptive ‘malësori rrufjan’ i ka përfituar nga KESH, në mungesë kokurrence, me ofertë fituese gati sa fondi limit, me procedura të dyshimta dhe pazar në tavolinë, gjoja për sigurim asetesh. Nëse SPAK i heton këto kontrata, do të zbulojë se janë prokuruar vetëm para publike, që janë ndarë më pas sipas roleve, duke u kanalizuar në xhepa të errët.

Kompania Eurosig është denoncuar nga klientët për mashtrim me mbulimin e dëmeve dhe zhvatje, ndërsa simotra në Kosovë është në rrokullisje falimenti, për shkak të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe paaftësisë paguese, ndoshta edhe përfaktin se në Kosovë është terren më i vështirë për dallavere.

Më herët, aksioner tek Eurosig sha ka qenë biznesmeni nga Peja, Ekrem Lluka, i pandehur në Kosovë për pastrim parash, evazion dhe falsifikime, i shpallur investitor strategjik nga qeveria shqiptare.

Eurosig sha, me pronar kryesor biznesmenin që shfaqet si bamirës, Kadri Morinajn, kamuflon një kartel financiar; bankë, mikrokredi dhe kompani sigurimesh. Shoqëria e sigurimeve Insig Jetë është në pronësi të kompanisë Eurosig, me pronar mazhoritar Kadri Morinaj.

Insig Jetë, vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka përfituar 2.5 milionë euro nga buxheti shtetit. Shoqëria Insig Jetë kamuflon kompaninë e fajdeve EuroCredit dhe kompaninë Eurosig Invest, me objekt administrimin e fondeve të pensionit vullnetar. Dy kompanitë janë histori më vete dallaveresh.

Në vitin 2016, Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër Financash, finalizoi privatizimin e INSIG, ish-gjigandi shtetëror i sigurimeve, duke ia shitur Eurosigut të Kadri Morinajt. “Kadriu ka treguar se është i mençur dhe e di që nuk ble një gjë pa vlerë. Në vite, nuk mbaj mend të ketë blerë ndonjë gjë pa vlerë“, tha Tigri, prej dy vitesh në arrati pasi kërkohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Kompania publike u shit për 15 milionë euro, edhe pse ishte vlerësuar nga kompanitë ndërkombëtare me vlerë dy herë më të lartë se sa çmimi i shitjes. Por, kjo është një histori tjetër e një dosjeje që nuk dihet se kur do të hapet, pasi një burim brenda rrethit tha se janë ndarë miliona euro nga zhvatja e pasurisë publike.

Gjatë pesë viteve të fundit, INSIG rezulton se ka marrë 4.5 milionë euro para publike. Tenderin e fundit me vlerë 1 milionë euro e ka marrë një muaj më parë, për sigurimin e godinave të burgjeve.

Përpos evidencave për marrëveshje oligopoliste, ndarje tregu me segmente, mosrespektim të kontratave të sigurimit duke mos shlyer dëmet etj., Morinaj, përmes tre kompanive, ka marrë vitet e fundit 15 milionë euro para publike dhe asete publike me vlerë dhjetëra milionë euro përmes privatizimit të dyshimtë të INSIG. Disa akte bamirësie besohet se janë produkt i parave publike që Kadri Morinaj ka përlarë nga buxheti i shtetit, ndërsa disa bakshishe janë dhënë për pasqyrimin e akteve të bamirësisë.

Pazaret me AMF

Eurosig në Tiranë lulzon dhe noton në para tenderash dhe abuzimin me kontratat e sigurimit. Eurosig në Prishtinë është marrë nën mbikqyrje për shkak të degradimit dhe rrokullisjes drejt falimentit. Ky fakt tregon se biznesi i Kadri Morinaj funksionon në një mjedis korruptiv, abuzimi dhe pazaresh me AMF, ndërsa falimenton në një mjedis me rregulla të barabarta.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare publikoi një raport vite më parë, duke konstatuar se 3 nga 11 kompanitë e sigurimit, aktive në tregun shqiptar, nuk kanë aftësi për të paguar dëmshpërblimin për siguracionet që kanë të bëjnë me shëndetin dhe pronën. Dy nga tre kompanitë ishin Eurosig dhe INSIG të Kadri Morinajt, të cilat kishin mangësi kapitali për të dëmshpërblyer klientët që kanë paguar pranë saj shuma parash për të siguruar pronën, shëndetin apo mjetet motorike.

Nga verifikimet rezulton se dy kompanitë kanë pasur kapital negativ në vlerë miliarêda lekë, krahasuar me përcaktimet e Autoritetit Rregullator. Çfarë ka ndodhur? Në vend të zbatimit të ligjit për të marrë masa dhe transparencës, AMF nisi të fshihte të dhënat për aftësinë paguese të kartelit të Morinës.

Nisur nga këto indicie, ftojmë BKH-në të bëjë një verifikim të raportit të AMF me Eurosig dhe derivatet e saj, vendimmarrjet, devijimet, shkeljet dhe tabulatet e ‘malësorit’ me përfaqësue të AMF, interesat, rrugën e parave etj. Prapaskena do të sjellë në vijim evidenca që tregojnë për një raport korruptiv sistematik të Kadri Morinajt me AMF-në gjatë 10 viteve të fundit.

Lavatriçja UBA Bank dhe një aferë freskët korruptive

Në e-mailin e Prapaskenës, nga breda UBA Bank, kanë mbërritur disa informacione me evidenca tronditëse për ‘tullumbacen financiare’ që po fryhet nën hyqmin e Bankës së Shqipërisë. Ditët e fundit, raporton burimi, Kadri Morinaj pagoi me 100 mijë euro një grup kontrolli, për të ‘nxjerrë në rregull’ bankën e ‘malësorit’, e kthyer në një lavatriçe pastrimi parash.

BSH ka parë vitet e fundit fryrjen si tullumbace të vlerës së aksioneve dhe kapitalit të UBA-s, dhe s’ka luajtur gishtin. Kontrollet e saj janë kthyer me duar plot dhe letra ‘bosh’, ashtu si ndodhi katër vite më parë me “bankat” e Arben Meskutit me Olsi Ibron.

Kadri Morina, jo bankier, por me formim “kapterr” ushtarak, lejohet të blejë një bankë ku shqiptarët fusin paratë e kursimeve dhe marrin kredi. Një piramidë financiare në pronësi të një komapanie sigurimesh, bilancet e të cilës mbahen nga AMF-ja që të mos rrëzohet. Sa herë shfaqet kontrolli sheh një tullumbace më të madhe me para me burim të dyshimtë, por kthehet gjithnjë me xhepat më të fryrë. Vijon…