KQZ drejt certifikimit të Tiranës, fati i mandatit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në pikëpyetje

Aktualitet

Publikuar: 18/07/2025

KQZ drejt certifikimit të Tiranës, fati i mandatit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në pikëpyetje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përgatitje që në fillim të javës që vjen, të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës dhe të shpërndajë mandatet për partitë dhe koalicionet.

Por ndërsa kjo fazë afrohet, mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” është përfshirë në një krizë të thellë.

Dy kandidatë nga lista e mbyllur, Kleana Xhuveli dhe Zeqir Kordhoni, të cilët kishin dorëzuar dorëheqje para numërimit të votave, tani kanë ndryshuar qëndrim dhe kërkojnë të rikthehen në garë për mandatin. Aktualisht mandatin e zotëron Ana Dajko, e para në listën e mbyllur.

Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj, kandidati më i votuar i listës së hapur, po kërkon që mandati t’i jepet atij, duke argumentuar se dorëheqjet e listës së mbyllur ishin dorëheqje nga kandidimi dhe jo nga mandati, pasi në atë kohë mandati nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.