“E dha jetën për të tjerët”- Flet mes lotësh bashkëshortja e kapitenit në Shkodër 

Aktualitet

Publikuar: 11/07/2025

“E dha jetën për të tjerët”- Flet mes lotësh bashkëshortja e kapitenit në Shkodër 

Bashkëshortja e kapitenit të anijes, Arben Anamali, i cili humbi jetën për të shpëtuar dy turistet e huaja nga mbytja në Liqenin e Shkodrës, ka dhënë një deklaratë për media.

Mes lotësh ajo tha se Arbeni ishte një njeri i jashtëzakonshëm, gjithmonë i përkushtuar për të ndihmuar të tjerët.

Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë, për nënën e tij në radhë të parë, për mua, për djalin dhe vajzën, dhe për të gjithë ata që e kanë njohur, sepse ka qenë njeri shumë i mirë, shumë punëtor dhe shumë i përkushtuar. Ka qenë shumë i dhënë pas të tjerëve, të gjithëve u thoshte: ‘Ke nevojë për gjë?’, sa dhe jetën e vet e dha për turistët,” – u shpreh bashkëshortja e tij.

Ajo rrëfeu momentin kur mori lajmin tragjik:

Na njoftoi një koleg që kishte punuar me të. Më tha që Beni ka pësuar aksident. Nuk e mendova këtë gjë, sepse ka qenë shumë i fortë fizikisht, i guximshëm, notar i mirë dhe nëse do të kishte aksident, do ta rregullonte vetë anijen.”

Ndërkohë, nipi i tij theksoi se humbja është e jashtëzakonshme dhe falënderoi të gjithë ata që punuan për gjetjen e trupit. Ai shtoi se shpallja e të afërmit të tij si Dëshmor i Atdheut është nderim i merituar.

“Është një humbje shumë e madhe. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar si për gjetjen e trupit, ashtu edhe për nderimin që e ka pasur të merituar. Të mos harrohet dhe të respektohet si hero, pasi ka bërë një akt që nuk e bën çdokush,” – u shpreh ai.

Me djalin që i mban dorën, flet mes lotësh gruaja e kapitenit hero: Edhe jelekun e fundit ia dha turistëve pic.twitter.com/e44MUeB68s — Euronews Albania (@EuronewsAlbania) July 11, 2025