U mbyt në liqen pasi shpëtoi dy turistët, gjendet trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali në Shkodër

Kronike

Publikuar: 10/07/2025

U mbyt në liqen pasi shpëtoi dy turistët, gjendet trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali në Shkodër

Gjendet trupi i pajetë i 51-vjeçarit Arben Anamalit, kapitenit të anijes turistike, i cili u shpëtoi jetën 2 turistëve izraelitë, por nuk mundi të dalë vetë nga uji. Trupi i tij i pajetë u gjet pas rreth 48 orësh kërkime.

15 turistët e nisur nga Shiroka, kërkuan të shijonin me not liqenin më të madh në Ballkan dhe refuzuan të dëgjojnë kërkesën e kapitenit Anamali, për të mos u futur në ujë, sepse era që vinte nga veriu i rrezikonte. Pak minuta pasi u futën në liqen, turistët kërkuan ndihmë, pasi era i kishte larguar rreth 50 metra nga anija.

Mësohet se kapiteni u hodh në liqen me dy kamerdare shpëtimi, por vetë mbeti në ujë pa mundur të kthehej për shkak të erës së fortë, e cila e shtynte në thellësi të liqenit.  

Arben Anamali, si një mjeshtër i motorëve të barkave dhe skafeve, por edhe kapiten i licencuar, u punësua nga bashkia Shkodër me 1 maj të 2024 kur edhe u sollën anijet turistike “Buna” dhe “Drini”. 51-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve.