SPAK njoftoi sot se përfundoi faza e dytë e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së. Sot ishte testi i “Aftësisë Fizike”.
Në 7 të mëngjesit, 7 kandidatët e kualifikuar për këtë test, u paraqitën te reparti Renea në Yzberisht të Tiranës, me tuta dhe atlete (njëri erdhi me shapka, ku edhe iu humb njëra) dhe u reshtuan për…. pompa në tokë.
Testi i sotëm synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës.
· Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
· Sprintin 300 metra (i matur me kohë);
· Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor);
· Vrapin 2.4 km (i matur me kohë).
Testi, si shihet, nuk parashikon ndonjë limit të detyrueshëm kohe apo një numër pompash ose ushtrimesh barku në njësi kohe, nën të cilin nuk merr asnjë pikë. Sa të bëjë – të bëjë secili. Kush bën më tepër i mblidhen “pompat” me “arsyetim logjik”.
Faza e tretë të testimit konsiston në aftësitë për të bërë ese me shkrim.
Njoftimi jep përshtypjen e një testimi shumë serioz për të gjetur drejtorin “kampion” të BKH-së, i cili u zhvillua nën monitorimin e një ekipi mjekësor, me të pranishëm përfaqësues ndërkombëtarë.
Publiku po pret transparencë dhe rezultatet e testit të sotëm fizik. P.sh. sa pompa në tokë bëri kandidati Gledis Nano… ose sa palosje bënë për barkun rivalët Elton Kërluku me Joni Ketën? Po Andi Pogaçe a kapi ndonjë kohë të mirë tek gara me 2.4 km?
Nevoja për transparencë kërkon që publiku të informohet edhe për rezultatet e testimit kur u zgjodh shefja aktuale e BKH-së, znj. Aida Hajnaj. Sa e bëri 300-shin në atë kohë zonja Hajnaj, pasiqë duket se në këto vite i ka lënë vrapin dhe pompat në tokë.
Nëse testi fizik do angazhonte kampionët që njohim në gara shpejtësie dhe gjysmë thellësie, me siguri që, po t’i jepej pasaporta shqiptare, Usain Bolt do ta kishim drejtor të BKH- së.