Edi i Mektrin Motors feston te Shpella e Piratëve tenderin 4 milionë euro për makinat me qira të policisë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 10/07/2025

Edi i Mektrin Motors feston te Shpella e Piratëve tenderin 4 milionë euro për makinat me qira të policisë

Biznesmeni me të shkuar të zezë në Itali, Edmond Shahini, i njohur si Edi i Mektrin Motors, përfaqësues i Land Rover dhe Volvo në Shqipëri, ka festuar në një jaht luksoz në Karaburun finalizimin e aferës së dyshuar korruptive për makinat me qira të Policisë së Shtetit. Shahini kishte mbledhur në jaht miq të afërt dhe bashkëpunëtorë, duke lundruar të gëzuar drejt Shpellës së Piratëve dhe më pas duke u ndalur në një plazh të papopulluar. Një i pranishëm tha se janë hapur shampajnë dhe verë disa mijë euro shishja.

Kostoja e një makine me qira është 34 mijë euro, sa vlera e saj. Nisur nga kjo kosto, enti publik do kishte më interes t’i blinte makinat se sa t’i merrte me qira. Që këtu ky tender është i panevojshëm dhe abuziv. Qiramarrja duket se është sajuar për të vjedhur paratë publike.

Për 60 makina veturë me qira, është shpallur fituese kompaninë EUROCAR RENTALS shpk, me ofertë rreth 34 mijë euro një makinë me qira. Kompania është në pronësi të shtetasit Idrit Lama. Ky i fundit është prestanome i Edmond Shahinit. Kompania është themeluar nga Shahini, por që në vitin 2022 e ka kaluar formalisht në emrin e Lamës, i cili i ka ndryshuar edhe emrin nga Luxury Rent a Car në EUROCAR RENTALS.

Nga viti 2017, kompania ka qarkulluar para me burim të dyshimtë, ndërsa muajt e fundit u ka hyrë tenderave publikë. Kompania ndodhet me zyra te biznesi i Edmond Shahinit me adrsë Autostrada “Durres – Tirane”, Km 6. Gjithashtu, dy firmat kanë marrë pjesë si bashkim kompanish në procedura tenderuese.

Për lotin tjetër, për 60 makina me qira, me kosto 34 mijë euro, është shpallur fituese kompaninë Mektrin Motors të Edmond Shahinit, me ofertën më të lartë. Për të shpallur fituesin e paracaktuar, janë skualifikuar kompania “ALBANIA MOTOR COMPANY” me ofertë më të ulët me argumentin se “nuk kishte eksperiencë të ngjashme në 3 vitet e fundit” dhe kompania “PORSCHE LEASING” me argumentin se “nuk kishte deklaruar emrat e ortakëve”.

Në vitin 2017 kapitali i kompanisë Mektrin Motors është rritur në 6 milionë euro në mënyrë të dyshimtë, rritje e cila duket se buron nga hedhja e milionave euro në vitin 2008 në biznesin e makinave, para me burim tejet të dyshimtë.

Kompania ka përfituar 24 kontrata publike, por nga verifikimet rezulton se nuk ka si prioritet tenderat publikë. Ka indicie serioze se kompania e makinave është përdorur për pastrimin e parave me produkt aktivitete të paligjshme jashtë vendit.

Edmond Shahini është skeduar për aktivitet të dyshimtë në Itali gjatë viteve 2005-2010. Emri i tij figuron në dosje të autoriteteve italiane, ndërsa nuk dihet nëse në arkivat e Policisë së Shtetit dhe SPAK ka të dhëna për aktivitetin e tij.

Nga viti 2008, Edmond Shahini nisi të investonte para me burim të dyshimtë në bizese Durrës, kryesisht në hapjen e pikave të servisit, shitje me shumicë e pakicë të makinave dhe pjesëve të tyre, dhënie me qira e automjeteve të çdo lloji, marrja e përfaqësisë në aktivitetin tregtar të automjeteve, tregtim karburantesh etj.

Janë investime me vlerë dhjetëra milionë euro, ndërsa kapitali fillestar i kompanive është i papërfillshëm, një simptomë e zakonshme kjo e pastrimit të dyshuar të parave.

Kompanitë e tij figurojnë në disa dosje të Vetingut dhe SPAK-ut për mbulimin e blerjes së makinave luksoze të politikanëve të korruptuar, gjyqtarëve të korruptuar dhe figurave të krimit të organizuar.