Gjobiti 80-vjeçaren pse ushqen macet, kush është drejtori Arli Naska me 1 milionë euro pasuri

Aktualitet

Publikuar: 04/07/2025

Gjobiti 80-vjeçaren pse ushqen macet, kush është drejtori Arli Naska me 1 milionë euro pasuri

Një e moshuar 82-vjeçare është gjobitur me 10 mijë lekë në Tiranë sepse ushqen macet e lagjes. Gjoba është vendosur nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, për “ndotje akustike”.

Por ironia nuk mbaron këtu. Në të njëjtat rrugë ku zonja Irini ndan pak bukë me krijesat e braktisura, çdo natë motorë të modifikuar shpërthejnë në garë deri në agim. Nën ballkonet ku jeton ajo, grupime të rinjsh bërtasin, dëgjojnë muzikë me volum maksimal dhe tymosin hashash në qetësinë e lagjeve që askush nuk kujtohet t’i mbrojë.

Mesa duket, në Tiranën tonë të përmbysur, një e moshuar që ushqen një mace është problem sigurie, ndërsa një shesh i mbushur me motorra pa susta dhe zëra që përplasen me fasadat e pallateve është “atmosferë qytetarie”.

Sipas gazetares Anila Hoxha zonja Irini nuk ka pranuar të paguajë gjobën dhe ka ngritur padi në Gjykatën Administrative, sepse sipas avokates së saj, nuk ekziston asnjë ligj që ndalon mbajtjen apo ushqimin e kafshëve, e aq më pak që e përkufizon dashurinë për ta si kundërvajtje administrative.

Tani çështja pret vendimin e gjykatës, ndërsa qyteti vazhdon të heshtë përballë zhurmës së vërtetë dhe të ndëshkojë ata që guxojnë të jenë njerëzorë në një qytet që gjithnjë e më pak ka mbetur i tillë.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës drejtohet nga Arli Naska, më parë drejtor i tatimeve në Bashkinë e Tiranës. Naska është lakuar për një pasuri mbi 1 milionë euro. Edhe gjobën mund t’a ketë vendosur ndonjë inspektor gagarel, Naska mund t’a kishte kursyer bashkinë nga ky lajm i pazakontë dhe nga një përballje gjyqësore me zonjën i Irini, e cila edhe falë gazetares profesioniste Anila Hoxha, befas ka fituar simpatinë e qytetarëve, për një akt njerëzor dhe fisnik; Ushqyerja e maceve.