U emërua zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Rama: Ina Majko, prurja e parë ndër shumë të tjera në rrugën drejt Shqipërisë 2030

Politikë

Publikuar: 03/07/2025

U emërua zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Rama: Ina Majko, prurja e parë ndër shumë të tjera në rrugën drejt Shqipërisë 2030

Ina Majko është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”. Kështu shkruan kryeministri Edi Rama pas emërimit të saj si zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke ripërsëritur ndryshime të reja në qeveri, ashtu siç edhe ka paralajmëruar më parë.

Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se ajo u zgjodh në krye të këtij posti pasi spikati në skuadrën e 11 majit, edhe pse nuk ia doli që të siguronte një vend në kuvendin e ri.

“Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.

Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të  shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.