Një 25-vjeçar shqiptar, i cili tentoi të grabiste të dielën në mbrëmje në një shtëpi në Foria di Centola, në provincën e Salernos, u gjet i vdekur.
Trupi i tij u gjet në një zonë të largët të San Severino di Centola, pas dy ditësh kërkimesh.
I riu dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga pronari i shtëpisë në të cilën u fut për të grabitur së bashku me disa persona të tjerë.
Pronari, sipas mediave italiane, është vënë tashmë nën hetim. Një tjetër nga hajdutët e dyshuar u plagos gjithashtu dhe u shtrua në spital në Napoli.
Një person i tretë është ende në kërkim. Pronari i shtëpisë, një 60-vjeçar, dyshohet se ka qëlluar me armën e tij, të cilën e mbante ligjërisht, dhe njëri nga tre hajdutët dyshohet se ka qëlluar me një armë të marrë nga një kasafortë në shtëpi.
***
Tre ditë më parë, gjatë një shkëmbimi zjarri brenda vilës së tij në Foria di Centola – në Cilento në provincën e Salernos – ai kishte plagosur një nga tre hajdutët, të cilët po përpiqeshin të grabitnin para dhe bizhuteri nga kasaforta e tij.
Mbrëmjen e të hënës, sipërmarrësi 60-vjeçar, pronar i një kompanie ndërtimi, i cili mori pushkën e tij të gjuetisë dhe hapi zjarr në mbrojtje të familjes dhe të pronës, gjeti 30 shqiptarë – bashkëkombës të hajdutit të plagosur 20-vjeçar – poshte shtëpisë së tij, të cilët kërkonin një përballje me italianin dhe, pothuajse me siguri, kishin qëllime hakmarrëse.
Grupi i shqiptarëve, të gjithë nga provinca e Kazertës, mbërritën në Cilento me makina të fuqishme, raportojnë mediat italiane. Ata, të cilët kërkonin një takim ballë për ballë me 60-vjeçarin, u larguan vetëm pas mbërritjes së policisë.
Që nga mbrëmja e kaluar, dy patrulla të Karabinierëve kanë ruajtur vilën e biznesmenit për të shmangur një hakmarrje të mundshme.